• вторник, 24 март 2026

Thellohet bashkëpunimi midis Universitetit të Tetovës dhe Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër

Thellohet bashkëpunimi midis Universitetit të Tetovës dhe Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër

Tetovë, 3 mars 2026 (MIA)- Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, më 2 mars 2026, së bashku me dekanen e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Emine Shabani, e pritën në takim sekretarin e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) "Naim Frashëri" nga Kantoni i Aargaut, Zvicër, z. Rexhep Neziri i shoqëruar nga znj. Besarta Haskaj Balaj, zyrtare e lartë për mësim plotësues në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës.

Në qendër të këtij takimi ishte bashkëpunimi institucional për zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në mërgatë. Po ashtu u bisedua për hapat konkretë për organizimin e një konference shkencore me temë qendrore: “Kombi, identiteti i parë i shqiptarëve", rëndësia e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar te brezat e rinj në diasporë.

Gjatë takimit, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli shprehu gatishmërinë e plotë të Universitetit të Tetovës për të mbështetur këto nisma, duke theksuar se gjuha shqipe duhet të kultivohet me përkushtim, veçanërisht në diasporë. Ai nënvizoi se ruajtja e gjuhës është shtylla kryesore e identitetit tonë kombëtar dhe se institucionet arsimore kanë obligim moral dhe kombëtar ta ndihmojnë mërgatën në këtë mision.

Ndërkaq, sekretari i LAPSH-së, z. Rexhep Neziri, prezantoi një historik të shkurtër të shoqatës dhe punën voluminoze që bëhet në Zvicër për ruajtjen e gjuhës shqipe. Ai theksoi se Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Aargau është e angazhuar maksimalisht në organizimin e mësimit plotësues, duke shërbyer si një urë lidhëse që parandalon asimilimin dhe mban gjallë ndjenjën kombëtare te fëmijët e mërgimtarëve tanë.

Ky takim do të shërbejë si pikënisje për projekte të përbashkëta që synojnë mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare të bashkatdhetarëve tanë.

 

Тагови

Остани поврзан