Tetëdhjetë e pesë vende dënuan planet e Izraelit për Bregun Perëndimor
- Tetëdhjetë e pesë vende-anëtare të Kombeve të Bashkuara në një deklaratë të përbashkët dënuan masat e reja të Izraelit për të "zgjeruar praninë e tij të paligjshme" në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Nju-Jork, 28 shkurt 2026 (MIA) - Tetëdhjetë e pesë vende-anëtare të Kombeve të Bashkuara në një deklaratë të përbashkët dënuan masat e reja të Izraelit për të "zgjeruar praninë e tij të paligjshme" në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Qeveria izraelite tre ditë më parë miratoi një ligj të diskutueshëm që ua lehtëson kolonëve izraelitë blerjen e tokës në Bregun Perëndimor.
"Dënojmë kategorikisht vendimet dhe masat e njëanshme të Izraelit që synojnë zgjerimin e pranisë së tij të paligjshme në Bregun Perëndimor. Vendime të tilla janë në kundërshtim me detyrimet e Izraelit sipas të drejtës ndërkombëtare dhe duhet të anulohen menjëherë", theksohet në deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga 85 vende-anëtare të OKB-së, si dhe nga Bashkimi Evropian, Lidhja Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik.
Në deklaratë theksohet se masat e reja izraelite synojnë ndryshimin e përbërjes demografike, karakterit dhe statusit të territorit palestinez të pushtuar që nga viti 1967, përfshirë edhe Jerusalemin Lindor.
"Masa të tilla shkelin të drejtën ndërkombëtare, minojnë përpjekjet për paqe dhe stabilitet në rajon, rrezikojnë perspektivat për një marrëveshje paqësore", theksohet në deklaratën e përbashkët.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh, dy ditë më parë i bëri thirrje Izraelit të heqë dorë nga politika e e regjistrimit të tokës, duke e përshkruar atë si "destabilizuese" dhe "të paligjshme".
Çështja për pronësinë e tokës në Bregun Perëndimor ka qenë e ngrirë që nga lufta e vitit 1967. Sipas të drejtës ndërkombëtare, më shumë se gjysmë milioni kolonë izraelitë jetojnë ilegalisht në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor të aneksuar.
Në Bregun Perëndimor jetojnë rreth tre milionë palestinezë. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s