Taravari vizitën e parë e realizon në Kosovë, takon homologun Vitia
- Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë dhe transparencë, Arben Fetai si dhe deputeti i VLEN, Bekim Qoku, vizitën e parë si pjesë e ekzekutivit të ri në Maqedoninë e Veriut e kanë realizuar në Republikën e Kosovës.
Shkup, 26 qershor 2024 (MIA)- Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë dhe transparencë, Arben Fetai si dhe deputeti i VLEN, Bekim Qoku, vizitën e parë si pjesë e ekzekutivit të ri në Maqedoninë e Veriut e kanë realizuar në Republikën e Kosovës.
Ata janë pritur në takim nga ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia me të cilin kanë biseduar rreth bashkëpunimit dhe prioriteteve të përbashkëta institucionale.
“Sot i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë dhe transparencë, Arben Fetai si dhe deputeti i VLEN, Bekim Qoku, vizitën e parë jashtë vendit e realizova në Prishtinë, ku takuam homologun tim Arben Vitia. Me Arbenin, zhvilluam bashkëbisedim vëllazëror rreth sfidave brenda sistemeve tona shëndetësore dhe prioriteteve respektive për periudhën në vijim”, njofton ministri i shëndetësisë në RMV-së, Arben Taravari.
Siç njofton Taravari, ata janë pajtuar për përshpejtim dhe thellim të bashkëpunimeve midis dy qeverive respektive, “si në shëndetësi, ashtu edhe në arsim e në politika të qeverisjes së mirë, dhe në çdo sektor tjetër relevant për afrimin edhe më të madh midis dy vendeve tona dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet popujve tonë”.