• вторник, 18 март 2025

Taravari: Të gjithë pacientët e hospitalizuar në Selanik janë në gjendje stabile

Taravari: Të gjithë pacientët e hospitalizuar në Selanik janë në gjendje stabile

Shkup, 18 mars 2025 (MIA) - Të gjithë pesë pacientët e pranuar në spitalet në Selanik janë në gjendje stabile, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në mëngjes ishin për vizitë te të lënduarit nga zjarri në Koçan, të cilët janë hospitalizuar në spitalin "Papanikollau" dhe spitalin ushtarak në Selanik.

Në spitalin "Papanikollau' janë hospitalizuar tre persona, ndërsa në Spitalin ushtarak edhe dy të tjerë, të gjithë me djegie të rënda.

"Sot në orët e hershme të mëngjesit së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme Timço Mucunski dhe me Dr. Ilir Velën erdhëm në Selanik për të parë gjendjen e pacientëve të shtruar këtu. Sapo dolëm nga spitali 'G. Papanikolaou General Hospital' dhe Spitali Ushtarak në Selanik, të gjithë pesë pacientët që janë shtruar në këto spitale janë për momentin stabil. Falenderoj kolegët tanë të Selanikut, popullin dhe qeverinë greke për përkushtimin dhe ndihmën e tyre! Do ju mbajmë të informuar për pacientët e tjerë!, ka shkruar Taravari në Fejsbuk.

Korrespondentja e MIA-s nga Greqia paraprakisht njoftoi se Taravari dhe Mucunski gjatë vizitës së të lënduarve në Selanik ishin të shoqëruar nga zëvendës ministri grek i Punëve të Brendshme, Kostas Julekas, përgjegjës për rajonet Maqedoni dhe Traki dhe zëvendës ministri i Punëve të Jashtme, Tasos Haxivasiliu. bsh/

Foto: FB Taravari

Остани поврзан