Snopçe kërkon nga Gashi që para Vitit të Ri t'i shpallë zgjedhjet e përsëritura në katër komuna
- – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi të tregojë pavarësi institucionale dhe para Vitit të Ri t’i shpallë zgjedhjet e përsëritura në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Zhupë, në afatin ligjor, që ato të përfundojnë deri në fund të dhjetorit dhe tu mundësohet mërgimtarëve të votojnë, kërkoi sot deputetit i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe.
Shkup, 13 nëntor 2025 (MIA) – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi të tregojë pavarësi institucionale dhe para Vitit të Ri t’i shpallë zgjedhjet e përsëritura në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Zhupë, në afatin ligjor, që ato të përfundojnë deri në fund të dhjetorit dhe tu mundësohet mërgimtarëve të votojnë, kërkoi sot deputetit i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe.
Ai reagoi pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), duke theksuar se afati ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura në katër komunat fillon më 29 tetor, dhe jo nga dita e shpalljes së fundit të rezultateve. Sipas Snopçes, afati 60-ditor për mbajtjen e zgjedhjeve në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Zhupë filloi të ecë nga kjo datë, kështu që ato duhet të mbahen më së voni deri në fund të dhjetorit.
Deputeti ngriti dyshime se vonimi i shpalljes së rezultateve nga KSZH-ja ka qenë i qëllimshëm dhe i koordinuar me Qeverinë, për të shmangur periudhën kur mërgimtarët ndodhen në vendlindje.
“KSHZ-ja shpalli dje rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale me çka filloi periudha 60-ditore në të cilën duhet të mbahen zgjedhjet e përsëritura në katër komunat, por kjo do të thotë se dita e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve është 11 janari. Pse Komisioni priti deri dje dhe pse nuk i shpalli rezultatet për këto komuna më herët se në vitin 2021 kur njoftoi Qeverinë vetëm gjashtë ditë pas përfundimit të rrethit të parë, pa pritur përfundimin e rrethit të dytë në komunat e mbetura? A ishte kjo vonesë e qëllimshme dhe e koordinuar me Qeverinë për të shmangur votimin gjatë një periudhe kur mërgimtarët janë të pranishëm në qytetet e tyre të lindjes? Me këtë afat ligjor, qëllimi është qartë që zgjedhjet të mbahen më 11 janar - vetëm pak ditë pas largimit të mërgimtarëve. Duhet bërë një dallim i qartë midis përfundimit mbi shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve dhe përfundimit mbi përfundimin e procesit zgjedhor. Bazuar në përfundimin mbi rezultatet përfundimtare, afati ligjor prej 60 ditësh për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat ku nuk është arritur cenzusi fillon të ecë nga 29 tetori, datë në të cilën u miratua përfundimi mbi publikimin e rezultateve të rrethit të parë dhe u konstatua se cenzusi nuk ishte arritur në katër komuna. Kjo është identike me praktikën e zbatuar në vitin 2021. Pretendimet se afati duhet të llogaritet nga data e përfundimit të zgjedhjeve nuk kanë bazë ligjore. Prandaj, data e mbajtjes së zgjedhjeve në Gostivar dhe tre komunat e tjera duhet të jetë më së voni deri në fund të dhjetorit që zgjedhjet të përfundojnë brenda afatit ligjor. Ligji përcakton që afati 60-ditor duhet të llogaritet nga data e publikimit të rezultateve përfundimtare, dhe jo nga data e përfundimit të procesit zgjedhor”, tha Snopçe.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët ngriti gjithashtu një dilemë ligjore lidhur me nenin 132 të Kodit Zgjedhor i cili përcakton se në rast se nuk arrihet cenzusi, procesi zgjedhor përsëritet. Sipas tij, ky nen duhet të interpretohet në mënyrë që përsëritja e zgjedhjeve të bëhet me të njëjtët kandidatë, dhe jo me kandidatë të rinj, për të shmangur pabarazinë dhe shtyrjet e panevojshme.
“Nëse lejohet paraqitja e kandidatëve të rinj, procesi bëhet i pabarabartë dhe praktikisht i pamundur të organizohet në afatin 60-ditor. Vetëm përsëritja me të njëjtët kandidatë ka logjikë ligjore dhe administrative”, u shpreh Snopçe.
Ai kërkoi që institucionet të tregojnë përgjegjësi dhe respekt ndaj ligjit dhe mërgatës, duke e mbyllur procesin zgjedhor brenda afateve që përcakton ligji dhe pa vonesa të qëllimshme.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve Snopçe paralajmëroi se mbeten në koalicionin AKI në zgjedhjet e përsëritura në katër komuna, si dhe se do të kenë kandidat të përbashkët. Qëndrimi i tij është se zgjedhjet duhet të përsëriten me kandidatët e mëparshëm, tashmë të promovuar. fc/
Foto: MIA