• сабота, 31 мај 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Skajtraks e renditi Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mes dhjetë të parëve në Evropën Lindore

Skajtraks e renditi Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mes dhjetë të parëve në Evropën Lindore

Shkup, 11 prill 2025 (MIA) - Organizata e njohur e aviacionit Skajtraks e renditi Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, i operuar nga TAV Maqedoni, filiale e TAV Aeroporte, në mesin e dhjetë aeroporteve më të mira në rajonin e Evropës Lindore, në kuadër të programit të saj të quajtur Çmimet Botërore të Aeroporteve (Skytrax World Airport Awards). Çmimet, të cilat Skajtraks i jep bazuar në votat e pasagjerëve, u shpallën në panairin e aviacionit Passenger Terminal Expo të mbajtur në Madrid, Spanjë, i cili mblodhi së bashku mbi 2000 profesionistë të industrisë së aviacionit nga më shumë se 120 vende të botës.

Aeroportet më të mira në Evropën Lindore për vitin 2025, sipas Skajtraks, janë: 1. Budapest; 2. Sofje; 3. Tbilisi; 4. Talin; 5. Riga; 6. Kutaisi; 7. Beograd; 8. Bukuresht; 9. Batumi; 10. Shkup, njofton sot përmes një kumtese TAV Maqedoni.

"Si TAV Maqedoni, këtë vit festojmë 15 vjetorin tonë, që do të thotë se kemi punuar me përkushtim për 15 vjet për të ofruar përvojën më të mirë të udhëtimit për pasagjerët tanë. Në kuadër të Çmimeve Botërore të Aeroporteve të organizatës së njohur Skajtraks, këtë vit Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit hyri në mesin e dhjetë aeroporteve më të mirë në Evropën Lindore. Ne jemi vërtet të lumtur për këtë vlerësim dhe do të vazhdojmë të punojmë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të aeroportit dhe përvojën e përgjithshme të pasagjerëve", tha Nexhat Kurt, Drejtor i Përgjithshëm i TAV Maqedoni.

Përveç Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, shtatë aeroporte të tjera të operuara nga TAV Aeroporte, anëtare e Grupit ADP, u vlerësuan ndër aeroportet më të mira në botë, në kuadër të çmimeve Skytrax World Airport Awards. Këto janë aeroportet në: Almati - Kazakistan, Ankara dhe Izmir - Turqi, Batumi dhe Tbilisi - Gjeorgji, Riga - Letoni dhe Medina - Arabia Saudite.

Çmimet Skajtraks (Skytrax), të quajtura Çmimet Botërore të Aeroporteve (World Airport Awards), përcaktohen përmes rezultateve të një sondazhi të opinionit të pasagjerëve të kryer nga gushti i vitit 2024 deri në shkurt të vitit 2025, pra në një periudhë gjashtëmujore. Njerëz nga mbi 100 kombësi të ndryshme vlerësuan 575 aeroporte në mbarë botën, duke përdorur treguesit kryesorë të cilësisë, duke përfshirë përvojën e pasagjerëve të shërbimeve dhe produkteve të ofruara në aeroporte.

Çmimet Botërore të Aeroporteve janë një program i pavarur i organizatës së aviacionit Skajtraks, që vepron nga viti 1999 dhe përfaqëson një pikë referimi globale për përsosmërinë e aeroporteve. sa/

Foto: TAV Maqedoni

Остани поврзан