• петок, 13 март 2026

Siljanovska-Davkova priti ambasadorët austriakë nga rajoni i EJL-së, mbështetje e hapur për rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.

Siljanovska-Davkova priti ambasadorët austriakë nga rajoni i EJL-së, mbështetje e hapur për rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.

Shkup, 13 mars 2026 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot priti pjesëmarrësit e Konferencës rajonale të ambasadorëve austriakë nga Evropa Juglindore, nikoçir i së cilës është Ambasada e Republikës së Austrisë në Maqedoninë e Veriut dhe ambasadori Martin Pammer, në të cilën, siç informojnë nga kabineti i saj, të gjithë ambasadorët e kanë mbështetur hapur rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gjetja e zgjidhjeve për përshpejtimin e integrimeve janë në fokus të konferencës së tyre rajonale. 

Siljanovska-Davkova, gjithashtu, theksoi se delegacioni, i udhëhequr nga ambasadorja Elizabet Kornfajnd, drejtoreshë e përgjithshme për Çështjet Evropiane dhe Ekonomike në Ministrinë Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, është provë e diplomacisë së sinkronizuar dhe aktive, e cila është e rëndësishme për perspektivën evropiane të rajonit. 

"Ajo potencoi se Austria nuk është vetëm një nga investitorët më të mëdhenj ekonomikë në vend, por edhe një mik i fortë politik dhe një mbështetës i zëshëm i zgjerimit të BE-së dhe procesit të integrimit evropian të Maqedonisë", thuhet në kumtesën nga kabineti i Siljanovska-Davkovës. 

Presidentja riafirmoi qëndrimin se integrimet duhet të bazohen ekskluzivisht në kriteret dhe meritat e Kopenhagenit, dhe se çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë një instrument për bllokimin e këtij procesi.

Të gjithë ambasadorët austriakë, thuhet në kumtesë, mbështetën hapur rrugën e Maqedonisë drejt BE-së, duke theksuar se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gjetja e zgjidhjeve për përshpejtimin e integrimit janë në fokus të konferencës së tyre rajonale.

 "Ata ndajnë qëndrimet e presidentes se bashkëpunimi dhe qasja rajonale janë çelësi i integrimit evropian. Njëkohësisht, ata ranë dakord se në kontekstin aktual gjeopolitik, zgjerimi i BE-së është një imperativ sigurie. Ata bënë thirrje për respektimin e sundimit të ligjit, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe meritokracisë - thuhet në kumtesën nga kabineti i Siljanovska-Davkovës.

Bashkëbiseduesit, gjithashtu, shprehën gatishmëri për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Maqedoni-Austri dhe për një të ardhme të përbashkët evropiane. rq/

Foto: Kabineti i presidentes

Остани поврзан