• сабота, 31 август 2024

Shtatë persona e kanë humbur jetën dhe 77 janë lënduar në sulmin raketor rus ndaj Harkovit

Shtatë persona e kanë humbur jetën dhe 77 janë lënduar në sulmin raketor rus ndaj Harkovit

Harkov, 31 gusht 2024 (MIA) - Shtatë persona e kanë humbur jetën, ndërsa 77 janë lënduar në sulmin raketor rus ndaj një ndërtese dhe kënd lojrash në qytetin verilindor ukrainas, Harkov, kumtuan autoritetet ukrainase. Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski deklaroi se mes të vrarëve është edhe një vajzë 14-vjeçare.

Kryetari i Harkovit, Igor Terehov, në Telegram konfirmoi se një fëmijë është vrarë në një kënd lojrash dhe informoi se nga goditja është djegur një ndërtesë 12-katëshe. Janë djegur edhe disa automobilë të parkuar në afërsi të ndërtesës.

Pas sulmit ndaj Harkovit, Vollodimir Zelenski përsëri u ka bërë thirrje aleatëve të Ukrainës t'i lejojnë Kievit të shfrytëzojë armë me rrezeveprimi të gjatë, të dorëzuar nga perëndimi për sulme në territorin rus.

"Sulmi nuk do të ndodhte nëse forcat tona mbrojtëse do të ishin të afta të shkatërrojnë aeroplanë ushtarakë rusë, ku janë sistemuar. Nuk ka shkak racional pse duhet ta kufizojmë mbrojtjen e Ukrainës", ka shkruar Zelenski në Telegram.

Sipas Kievit, mënyra më efikase që të pengohen sulme si ai në Harkov është të rrëzohen aeroplanët rusë, të cilët lansojnë projektilë në Ukrainë. bsh/

Foto: EPA

Остани поврзан