• сабота, 22 февруари 2025

Shekerinska - Valtonen: NATO dhe OSBE-ja luajnë rol kyç në gjetjen e zgjidhjes diplomatike për luftën në Ukrainë

Shekerinska - Valtonen: NATO dhe OSBE-ja luajnë rol kyç në gjetjen e zgjidhjes diplomatike për luftën në Ukrainë

Bruksel, 6 shkurt 2025 (MIA) - Bashkëpunimi midis NATO-s dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe ballafaqimi me sfidat e përbashkëta, ishin temat kryesore të takimit të zëvendëssekretares së përgjithshme të Aleancës, Radmila Shekerinska me ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, vendi i së cilës është edhe kryesues aktual i OSBE-së.

Siç kumtoi NATO, në takim Shekerinska përshëndeti vendimin e Valtonenit për ta bërë Kievin destinacionin e saj të parë për vizitë pas marrjes së postit të kryesueses së OSBE-së më 1 janar të këtij viti, si dhe angazhimin e Finlandës që situata në Ukrainë të mbetet prioriteti kryesor i Organizatës gjatë presidencës së saj.

"Të dyja organizatat luajnë rol kyç në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për luftën në Ukrainë", shtoi Shekerinska.

Në kumtesë potencohet se NATO dhe OSBE-ja bashkëpunojnë ngushtë në një sërë fushash, duke përfshirë edhe në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, kontrollin e armëve, luftën kundër terrorizmit, promovimin e agjendës për barazinë e grave, paqen dhe sigurinë, si dhe adresimin e sfidave aktuale të sigurisë.

Takimi Shekerinska-Valtonen u zhvillua para seancës së Këshillit veriatlantik, në të cilin shefja e diplomacisë finlandeze, përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare në selinë e NATO-s ua prezantoi prioritetet e kryesimit të Finlandës me OSBE-në. rq/bsh/

Foto: NATO

Остани поврзан