• сабота, 22 февруари 2025

SHBA vendosi tarifa të larta për mallrat nga Kanadaja, Meksika dhe Kina

SHBA vendosi tarifa të larta për mallrat nga Kanadaja, Meksika dhe Kina

Uashington, 2 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, mbrëmë nënshkroi një dekret për vendosjen e tarifave për mallrat e importuara nga Kanadaja, Meksika dhe Kina. Për importet nga fqinjët Kanadaja dhe Meksika, tarifat janë 25 për qind, ndërsa për importin nga Kina, tarifa është 10 për qind. Për importet e energjensave nga Kanadaja, tarifa është më e ulët, 10 për qind.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, emigrantët e paligjshëm dhe lëndët narkotike që qarkullojnë nëpër kufijtë jugorë dhe veriorë, përfshirë fentanilin vdekjeprurës, kanë krijuar një situatë të jashtëzakonshme kombëtare. Kjo është arsyeja pse Presidenti Tramp po ndërmerr veprime për të detyruar Meksikën, Kanadanë dhe Kinën të përmbushin premtimet e tyre për të ndaluar imigracionin e paligjshëm dhe rrjedhën e fentanilit helmues dhe drogave të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.

Shërbimi doganor dhe kufitar amerikan vitin e kaluar në operacionet në kufirin e SHBA-së konfiskoi më shumë se 10,000 kilogramë fentanil.

"Autoritetet kineze nuk kanë marrë masat e nevojshme për të ndaluar dërgesën e substancave kimike prekursore për kartelët e njohur kriminal dhe për të penguar pastrimin e parave nga organizatat kriminale transnacionale", citohet në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.

Sipas kumtesës, qeveria meksikane u ka mundësuar kartelëve të marrin pjesë në prodhimin dhe transportin e drogave të rrezikshme, "duke çuar në vdekje nga mbidoza e qindra mijëra amerikanëve".

Gjithashtu, në Kanada është rritur prania e kartelëve meksikanë që operojnë me laboratorët për sintezën e fentanilit dhe nitazenit. Hulumtimet e fundit kanë treguar rritje të prodhimit vendas të fentanilit në Kanada, thuhet në kumtesë.

"E gjithë kjo kërcënon sigurinë kombëtare të SHBA-së, kështu që ne duhet të çrrënjosim ndikimin e këtyre kartelëve të rrezikshme", theksoi Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se aksesi në tregun amerikan është një privilegj, "sepse SHBA ka një nga ekonomitë më të hapura në botë dhe tarifat mesatare më të ulëta të importit".

Për Kanadanë, tregtia me SHBA-në përbën 67 për qind të PBB-së së vendit, ndërsa për Meksikën është 73 për qind e PBB-së së saj dhe për Kinën - 37 për qind. Lidhjet tregtare të SHBA-së me këto tre vende së bashku përbëjnë vetëm 24 për qind të PBB-së së vendit. Prandaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një deficit të madh tregtar që tejkaloi një trilion dollarë në vitin 2023.

Doganat dhe tarifat do të hyjnë në fuqi më 4 shkurt, me përjashtim të mallrave që janë dërguar tashmë përpara datës 1 shkurt.

Kryeministri kanadez Xhastin Trudo tha se Kanadaja do të përgjigjet me tarifat e veta për importet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe paralajmëroi se një politikë e tillë nga fqiu i saj jugor do të rriste çmimet e produkteve dhe do të ishte një goditje për konsumatorët. sa/

 

Остани поврзан