• сабота, 22 февруари 2025

Server për MIA-n: Një marrëveshje që do të komprometonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës do të inkurajonte secesionizmin dhe irredentizmin në Ballkan

Server për MIA-n: Një marrëveshje që do të komprometonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës do të inkurajonte secesionizmin dhe irredentizmin në Ballkan

Uashington, 18 shkurt 2025 (MIA) - Çdo marrëveshje për Ukrainën që do të komprometonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kievit, do të inkurajonte forcat secesioniste dhe irredentiste në Ballkan, Bosnja e Hercegovinë dhe Kosova  do të ndodhen nën rrezik, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk do të jetë e gatshme të pranojë kërkesat bullgare pa garanci, deklaroi për MIA-n eksperti për Ballkanin, Daniel Server.

Server, një ish-përfaqësues amerikan për Bosnje e Hercegovinë në rolin e tij si ndërmjetësues midis kroatëve dhe boshnjakëve për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, deklaroi se pozicioni i rusëve në negociatat aktuale për Ukrainën "është i favorshëm dhe ata nuk do të përsërisin skenarin me dështimin e Minsk-2" në vitin 2015.

"Rusia sigurisht që mund të përpiqet të përdorë bisedimet për të vonuar (një marrëveshje armëpushimi), por në këtë rast unë dyshoj në këtë. Amerikanët po ofrojnë një marrëveshje që do t'i lejonte Rusisë të qëndronte të paktën në pjesët e Ukrainës që ajo ka pushtuar. Për Moskën, është një opsion tërheqës të mund të bëhet një marrëveshje e tillë dhe të fitojë kohë për të riarmatosur dhe rigrupuar ushtrinë", tha Server, i cili drejton programin për menaxhimin e konfliktit në Universitetin "Xhon Hopkins" në Uashington.

Ai konsideron se integrimi i Maqedonisë në BE do të zhbllokohet vetëm nëse plotësohet garancia e kërkuar nga kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, se kërkesat bullgare për ndryshime të Kushtetutës do të jenë kërkesa e fundit nga Sofja.

"Maqedonia, sipas mendimit tim, është e gatshme të pranojë kërkesat bullgare për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë, por dëshiron që kjo kërkesë të jetë e fundit nga Sofja. Nuk e di nëse bullgarët do të pajtohen me këtë," theksoi Server.

Lidhur me mospjesëmarrjen e BE-së në negociatat fillestare midis Uashingtonit dhe Moskës për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë që u zhvillua në Riad, dhe planet e Makronit dhe Sholcit për të zhvilluar forca të integruara ushtarake evropiane të pavarura nga NATO, Server vuri në dukje se Evropa ka nevojë për politikanë që mund të rivalizojnë presidentin amerikan Donald Tramp. 

"Evropa ka nevojë për politikanë që janë të përgatitur t'i rezistojnë Uashingtonit, më shumë sesa nëse mund të krijojë apo jo forca ushtarake të integruara të pavarura nga NATO. Politikanë që do të jenë në gjendje të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Ai konsideron se SHBA-ja nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj dhe të dërgojë forcat e saj në Ukrainë. Dhe se me shumë gjasa Evropa do të jetë ajo e cila e para do të vendos forcat e saj paqeruajtëse, në varësi të marrëveshjes. 

"Unë mbështes dërgimin e trupave në Ukrainë, por vetëm nëse ajo marrëveshje mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Përndryshe, ata do të rrezikohen të gjenden në vendin e gabuar në kohën e gabuar kur Moska do të vendos të rinovojë luftën. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

Остани поврзан