• среда, 10 декември 2025

Seancë e Komisionit të Përhershëm Anketues për ankesën e Shoqatës së prindërve të viktimave nga tragjedia në Koçan

Seancë e Komisionit të Përhershëm Anketues për ankesën e Shoqatës së prindërve të viktimave nga tragjedia në Koçan

Shkup, 9 dhjetor 2025 (MIA) - Në Kuvend sot mbahet seancë e Komisionit të Përhershëm Anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarit, në rend dite të së cilës është ankesa e dorëzuar nga Shoqata e qytetarëve "16 mars 2025 Koçan", në opinion e njohur si Shoqata e prindërve të fëmijëve viktima në diskotekën "Puls" në Koçan. Me heshtje një minutëshe, të pranishmit shprehën keqardhje për familjet e viktimave të zjarrit.

Në seancë marin pjesë presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, kryeministri Hristijan Mickoski, nënkryetarët e Kuvendit, prindërit dhe familjarët e fëmijëve të vdekur në tragjedinë në Koçan, koordinatorët e grupit parlamentar në Kuvend, avokati i popullit, përfaqësuesit e Komitetit të Helsinkut për të Drejtat e Njeriut, Koalicioni Të gjithë për gjykim të drejtë, Shoqata maqedonase e juristëve të rinj, Suport Koçan dhe Nisma civile "Kush e ka radhën?". Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski nuk mori pjesë për shkak të një udhëtimi zyrtar.

Kryetari i Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive të Njeriut dhe të Drejtat dhe deputet i të Majtës, Dimitar Apasiev në fillim të seancës informon se përveç kompetencave tjera, Komisioni ka ingerenca të shqyrtojë shënimet e qytetarëve dhe të ndërmarrë qëndrime sipas tyre. Ai njoftoi se në historinë më të re të Kuvendit deri tani në përbërje të ndryshme mandatuese, Komisioni i Përhershëm Anketues sipas kompetencave të tij kushtetuese ka mbajtur mbledhje sipas ankesave të dorëzuara nga qytetarët ose shoqatat dhe atë gjashtë ankesa në periudhën 2002-2003, dy ankesa në vitin 2004-2005, dy ankesa në vitin 2006, nga një ankesë në vitet 2007, 2008, 2009 dhe 2010 dhe dy ankesa në vitin 2019. Ai tha se Komisioni nuk mund të kryejë funksione hetimore ose të tjera gjyqësore, por rezultate e saj janë bazë për ngritje të procedurës për vërtetimin e përgjegjësisë së bartësve të funksioneve publike.

Marija Petrusova, përfaqësuese e Shoqatës civile "16 mars 2025 Koçan" theksoi se kërkesa e tyre është që ky rast të shqyrtohet si shkelje serioze e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë te të drejtat e jetës.

"Ne jemi këtu jo vetëm për të vajtuar për fëmijët tanë, por edhe për të kërkuar drejtësi për ta. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë, siç bëjnë ata që u ngarkuan me detyrën për të ruajtur jetën tonë. Për shkak të neglizhencës, korrupsionit dhe pamundësisë së tyre për të përmbushur detyrën e tyre themelore, fëmijët tanë kanë vdekur, dhe shumë të tjerë mbeten të ekspozuar ndaj të njëjtit sistem të rrezikshëm. Kjo tragjedi nuk është vetëm për shkak të një shkëndije të vetme të gabuar, por pasojë e dështimeve sistemike që kërcënojnë të drejtën më themelore - të drejtën për jetë, siguri dhe drejtësi. Ajo që kemi përjetuar nuk është vetëm joefikasitet institucional - është një rrezik sistematik për të gjithë qytetarët. Kërkesat tona janë: mbështetje e menjëhershme dhe e plotë institucionale për të gjitha familjet e atyre që vdiqën në zjarrin në Puls - Koçan, një përgjigje e qartë dhe zyrtare ndaj arsyeve të vonesës së zgjatur dhe pasivitetit të plotë të institucioneve, përcaktimi i afateve specifike për përfundimin e të gjitha procedurave që lidhen me mbështetjen, shqyrtimi i të gjitha pikave të mbetura të kërkesës tashmë të paraqitur. Qeveria ka një detyrim ligjor, moral dhe njerëzor për të vepruar qartë, drejt dhe me përgjegjësi. Të tregojë kujdes, solidaritet dhe ndjeshmëri ndaj familjeve që kanë pësuar një humbje të pariparueshme. Fëmijët tanë e meritojnë. Dhimbja jonë e meriton", tha Petrushova.

Ajo thekson se në vend të një hetimi të shpejtë dhe të plotë, siç tha, u përballën me vonesa, llogaritje politike dhe ndjekje penale selektive.

Ajo theksoi se duhet të ndërmeren masa që do t'i parandalojnë viktimat e ardhshëm - të sigurohen mekanizma për parandalim, të sanksionohen fajtorët, dh të garantohet se e drejta e jetës dhe siguria do të jenë prioritet për të gjithë qytetarët. Ajo akuzoi se në rastin me tragjedinë në Koçan, nuk ishte vendosur asnjë nismë nga ana e pushtetit që do të siguronte mbështetje institucionale, financiare dhe psikosociale për familjet.

"Ky fakt lë përshtypje se tragjedia në Koçan mund të vihet në plan të dytë dhe se jetët e humbura nuk ishin vlerësuar me seriozitetin dhe kujdesin e njejtë si në tragjeditë tjera", tha Petrushova.

Deputetja Ivanka Vasilevska, duke iu drejtuar prindërve porositi se edhe deputetët, si dhe prindërit dëshirojnë ta mësojnë të vërtetën për tragjedinë dhe kërkojnë përgjegjësi për të njejtën.

"Kërkesa e drejtësisë për ju është fuqi lëvizëse, e cila ju nxjerrë nga shtrati dhe ju mban gjallë dhe në kërkim të një zgjidhje për këtë të keqe. Zemrat tona janë me ju gjatë gjithë kohës. Kjo është arsyeja pse jemi të gjithë këtu sot - për t'ju thënë se nuk do të lejojmë që të abuzoheni ose manipuloheni. Dua t'ju paralajmëroj jo vetëm si nënë dhe motër, por edhe si deputete dhe profesoreshë e drejtësisë se ajo që jemi mbledhur këtu sot nuk do të arrijë qëllimin e dëshiruar. Duhet ta dini se formati i këtij Komisioni dhe gjithçka që do të thuhet këtu nuk do të ketë asnjë bazë ligjore për të mbajtur përgjegjës. Por kjo mund të shërbejë vetëm për të përjashtuar nga përgjegjësia ata që morën pjesë në këtë tragjedi të tmerrshme", tha Vasilevska.

Ajo e lexoi edhe letrën e prokurorit publik Lupço Kocevski dërguar në Kuvend, në të cilën thuhet se për tragjedinë në Koçanë janë duke vijuar tre procedura të ndara - njëra është në fazën e gjykimit në Gjykatën Themelore Penale Shkup, ndërsa dy janë në fazë të hetimit, nga të cilat njëra në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe një tjerët në Prokurorinë Themelore Publike në Koçan.

Ajo kërkoi pushim prej një ore dhe përjashtim të Apasievit nga kryesimi i Komisionit Anketues, sepse, siç tha, ka opinion të shprehur juridik të paracaktur dhe publik për elementet thelbësore të procedurës gjyqësore në fjalë dhe se e bën të paaftë të garantojë jonashshmëri dhe objektivitet. U bëri thirrje prindërve të të vdekurve që të shkojnë në zyrën e saj dhe t'ua tregojë deklaratat e shprehura nga Apasievi për tragjedinë në Koçan.        

Apasiev në replikën ndaj Vasilevskës theksoi se nuk e pranon kërkesën e saj për përjashtim dhe se do të vazhdojë ta udhëheqë Komisionin.

Ai nuk e pranoi kërkesën për pushim nga Vasilevska, sepse, siç tha, ajo nuk është koordinatore ose zëvendëskoordinatore e grupit të deputetëve.

Pastaj në fjalimin proceduraël kërkoi pushim deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska. Ajo përmendi edhe një sërë shkeljesh proceduriale të Rregullores rreth udhëheqjes dhe konvokimit të seancës së Komisionit të Përheshëm Anketues.

Javën e kaluar, me propozim të deputetëve të shumicës parlamentare - VMRO-DPMNE, ZNAM dhe VLEN, në Kuvend u mor vendimi për të krijuar një Komision Hetimor për të përcaktuar rrethanat e veprimeve të institucioneve në lidhje me tragjeditë dhe aksidentet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili do të përqendrohet në tragjeditë në Koçan, spitalin modular, Durmo Turs dhe Llaskarcë.

Më 19 nëntor të këtij viti, në sallën e gjyqit në QKP Idrizovë filloi gjyqi për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, i cili ndodhi më 16 mars të këtij viti, duke lënë të vdekur 63 persona, përfshirë fëmijë dhe duke plagosur mbi 200 të tjerë.

Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska dhe zhvillohet nën masa të përforcuara sigurie, me praninë e të pandehurve, të afërmve të viktimave, prokurorisë, mbrojtjes dhe gazetarëve të shumtë. Në bankën e të akuzuarve janë 37 persona - pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetarë komune, roje sigurie dhe nëpunës shtetërorë. sa/mb/

Foto: printskrin nga video

Остани поврзан