Samiti BE-Kanada: Brukseli dhe Otava do të vazhdojnë me mbështetjen e sistemit shumëpalësh të bazuar në rregulla
- Rëndësia e bashkëpunimit të përbashkët për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit ekonomik global dhe rinovimi i përpjekjeve për promovimin dhe diversifikimin e tregtisë, ishin tema kryesore të takimit të sotëm të kryetarit të Këshillit Evropian, Antonio Koshta dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen me kryeministrin kanadez, Xhastin Trudo në Bruksel.

Bruksel, 12 shkurt 2025 (MIA) - Rëndësia e bashkëpunimit të përbashkët për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit ekonomik global dhe rinovimi i përpjekjeve për promovimin dhe diversifikimin e tregtisë, ishin tema kryesore të takimit të sotëm të kryetarit të Këshillit Evropian, Antonio Koshta dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen me kryeministrin kanadez, Xhastin Trudo në Bruksel.
"Kanadaja dhe BE-ja së bashku do të vazhdojnë të mbështesin sistemin gjithëpërfshirës shumëpalësh të bazuar në rregulla, të vendosura në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe do të mbështesin sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve, si parime bazë të së drejtës ndërkombëtare", theksohet në kumtesën e takimit.
Liderët theksuan marrëdhëniet e forta tregtare dhe investuese midis Kanadasë dhe BE-së dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për të zgjidhur sfidat e vazhdueshme në botën e sotme komplekse, konkurruese dhe të paparashikueshme.
"Në prag të përvjetorit të tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, liderët rikonfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën, derisa ajo vazhdon t'i rezistojë luftës së pajustifikuar agresore të Rusisë", shtohet në kumtesë.
Në takim u bisedua edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Gazë dhe Siri, pas çka u përshëndet marrëveshja e muajit të kaluar për armëpushim dhe lirimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit dhe u bë apel për zbatimin e plotë të saj. Bashkëbiseduesit theksuan përkushtimin e tyre për një zgjidhje paqesore të bazuar në modelin e dy shteteve, si dhe rëndësinë e një "strukture gjithëpërfshirëse të qeverisjes politike në Siri".
"Liderët diskutuan tregtinë globale, duke përfshirë tarifat e pritshme nga ana e SHBA-së. Ata, gjtihashtu, diskutuan për prioritete të tjera të përbashkëta dhe u dakorduan të qëndrojnë në kontakt të ngushtë", thuhet në kumtesë, ku shtohet se Koshta dhe Fon der Lajen shprehën mirënjohjen ndaj Trudos për kontributin dhe udhëheqjen e tij personale në përforcimin e marrëdhënieve mes Kanadasë dhe BE-së dhe në ruajtjen e vlerave të përbashkëta dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. rq/bsh/
Foto: EBS