• петок, 15 мај 2026

Sali nga Nikozia: Zgjerimi është një investim strategjik në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës

Sali nga Nikozia: Zgjerimi është një investim strategjik në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës

Shkup, 11 maj 2026 (MIA) - Zëvendëskryetari i Parë i Qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në Takimin Joformal të Ministrave për Çështje Evropiane, i cili u mbajt në Nikozi, nën presidencën e Qipros me Këshillin e Bashkimit Evropian.

 

Në kuadër të sesionit kushtuar zgjerimit, ministri Sali theksoi rëndësinë e një procesi kredibil dhe të parashikueshëm të zgjerimit, të bazuar në meritë dhe në vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

 Siç informojnë nga MÇE, Sali theksoi se zgjerimi sot përfaqëson një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Evropës, ndërsa reformat në sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe administratën publike mbeten elemente kyçe të procesit të anëtarësimit.

 

Ministri Sali potencoi se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane, zbatimit të reformave dhe harmonizimit me politikat dhe vlerat evropiane.

 Në fjalimin e tij, Sali nënvizoi se integrimi gradual duhet të shërbejë si mekanizëm për përshpejtimin e konvergjencës drejt anëtarësimit të plotë, dhe jo si zëvendësim i tij, duke theksuar përfitimet nga integrimi më i madh në tregun unik, programet evropiane dhe instrumentet financiare të lidhura me reformat.

 Foto: Kabineti i ministrit për Çështje Evropiane



Остани поврзан