• сабота, 22 февруари 2025

Rute: Objektivi i ri i shpenzimeve të mbrojtjes do të jetë shumë më i lartë se dy për qind e PBB-së

Rute: Objektivi i ri i shpenzimeve të mbrojtjes do të jetë shumë më i lartë se dy për qind e PBB-së

Bruksel, 3 janar 2025 (MIA) - Duhet t'i rrisim shpenzimet e mbrojtjes dhe prodhimtarinë në mbrojtje, por për nivelin e rritjes do të vendosim më vonë dhe në bazë të analizave që do t'i bëjmë do të vendosim një objektiv të ri për shpenzimet e mbrojtjes, tha sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, gjatë mbërritjes në drekën e punës me liderët e BE-së në kuadër të Samitit të sotëm joformal të Unionit që mbahet në Bruksel.

"Mund t'ju bind se ai (objektiv) do të jetë dukshëm më i madh se dy për qind e PBB-së", tha Rute, duke shtuar se vendet evropiane duhet të investojnë më shumë për ndarjen e ngarkesës së shpenzimeve të mbrojtjes me SHBA-në. 

Për momentin NATO-ja ka një synim që të gjitha vendet anëtare për shpenzime të mbrojtjes të ndajnë mjete në vlerë prej të paktën dy për qind të PBB-së së tyre, por në muajt e fundit u shpeshtuan thirrjet për rritje të nivelit të këtyre alokimeve.

Sipas Rutes, BE-ja duhet ta përforcojë mbrojtjen e saj në një bashkëpunim të ngushtë me Norvegjinë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe në kuadër të NATO-s dhe të marrë vendime për shpenzimet mbrojtëse në bazë të qëllimeve të tyre.

Në pyetjen se çka do të ndërmerret për mbrojtjen e Danimarkës nga "ndryshimet e detyruara të kufijve" nëse presidenti amerikan Donald Tramp tenton t'i realizojë planet e tij për ta marrë Grenlandën, Rute shmangu një përgjigje konkrete, duke theksuar se presidenti i SHBA-së ka të drejtë kur flet për nevojën e përforcimit të sigurisë në rajonin e Arktikut.

Sipas Rutes, kur bëhet fjalë për përforcim të sigurisë kolektive të Veriut të largët të Arktikut, nuk bëhet fjalë vetëm për Grenlandën, por këtu përfshihen edhe Islanda, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Kanadaja dhe vetë SHBA.

"Do të punojmë së bashku në kuadër të NATO-s, së bashku do ta bëjmë atë që është e domosdoshme për (sigurinë) e Veriut të Largët", tha Rute. sa/

Foto: Skrinshot

Остани поврзан