• сабота, 10 јануари 2026

Rodrigez: Venezuela do të kundërshtojë agresionin e SHBA-së me mjete diplomatike

Rodrigez: Venezuela do të kundërshtojë agresionin e SHBA-së me mjete diplomatike

Karakas, 10 janar 2026 (MIA) – Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Dellsi Rodrigez, deklaroi se do të kundërshtojë "agresionin e SHBA-së me mjete diplomatike", njoftuan sot mediat. 

"Konfirmova se Venezuela do të vazhdojë të kundërshtojë këtë agresion përmes kanaleve diplomatike", shtoi ajo, pak pasi Uashingtoni dhe Karakasi njoftuan gatishmërinë e tyre për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike.

Sipas saj, Venezuela do të kundërshtojë “agresionin kriminal” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “përmes kanaleve diplomatike”. 

Gjatë një takimi onllajn me presidentët e Brazilit dhe Kolumbisë, Lula da Silva dhe Gustavo Petro, si dhe kryeministrin spanjoll Pedro Sançez, Rodrigez dënoi atë që e quajti "agresion kriminal, të paligjshëm të kryer kundër Republikës Bolivariane të Venezuelës" më 3 janar, me bombardimet e SHBA-së që i paraprinë arrestimit të presidentit Nikollas Maduro.

Ajo shtoi se ndan qëndrim të përbashkët për "avancimin e programit më të gjerë për bashkëpunim dypalësh" ndërmjet Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, respektim të sovranitetit dhe përfshirja në dialog. 

Në një deklaratë të veçantë, presidentja e përkohshme falënderoi gjithashtu emirin e Katarit, sheikun Tamim bin Hamad Al Tani, për gatishmërinë e tij për të kontribuar në zhvillimin e një programi për dialog midis SHBA-së dhe Venezuelës bazuar në respektimin e të drejtës ndërkombëtare.

Katari ka luajtur me vite të tëra rol ndërmjetësues në negociatat midis Venezuelës dhe SHBA-së, ndërsa pas veprimit të SHBA-së më 3 janar, ai ofroi përsëri ndërmjetësim, duke bërë thirrje për "zgjidhjen e dallimeve përmes dialogut", kujton "Le Figaro". fc/

Foto: EPA

Остани поврзан