• сабота, 22 февруари 2025

Robert Kenedi: Nuk jam kundërshtar i vaksinave, do ta mbështes politikën e Trampit kundër abortit

Robert Kenedi: Nuk jam kundërshtar i vaksinave, do ta mbështes politikën e Trampit kundër abortit

Uashington, 31 janar 2025 (MIA) - Robert Kenedi i riu i cili u nominua nga presidenti amerikan Donald Tramp për të drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe shërbimet humanitare sot në seancën dëgjimore para Komitetit të shëndetësisë së Senatit mohoi se është kundërshtar i vaksinave dhe përsëriti se ai do të mbështesë politikën e Trampit për ndalesën e abortit.

Gjatë marrjes në pyetje, Kenedi ka refuzuar t'i përgjigjet pyetjes nëse ai beson se vaksinat shkaktojnë autizëm tek fëmijët dhe se ai nuk e dinte nëse vaksina e koronavirusit ka shpëtuar miliona jetë. Ai tha se nuk është e vërtetë se është kundër vaksinave, sepse fëmijët e tij janë të vaksinuar.

Senatori republikan i Luizianës, Bill Kasidi, mjek, gjatë marrjes në pyetje në Senat tha se ai është i shqetësuar për deklaratat e mëparshme të Kenedit që "minuan besimin në vaksina me argumente të pabaza ose të gabuara".

"Kam votues që pjesërisht falë jush, morën vendim për të mos vaksinuar fëmijën e tyre. Ju keni hedhur dyshime për disa nga këto vaksina", ka thënë Kasidi. Ai në fund të seancës pyeti nëse Kenedi, një burrë 70-vjeçar që "kaloi dekada duke kritikuar vaksinat" tani mund të "ndryshojë pikëpamjet dhe qasjen e tij" sepse si sekretar i shëndetësisë dhe shërbimeve humanitare do ta ketë postin më të rëndësishëm me ndikim mbi politikën për vaksinimin në SHBA.

Komiteti i financave, ku dje Kenedi u mor në pyetje, ku gjithashtu anëtar është Kasidi, ende nuk ka publikuar nëse do ta dërgojë nominimin e Kenedit për sekretar të shëndetësisë deri në Senat nën kontroll nga republikanët.

Foto: arkivi i MIA-s

Остани поврзан