• недела, 23 февруари 2025

Raportuesi i Europarlamentit për Serbinë për vizitë në Beograd

Raportuesi i Europarlamentit për Serbinë për vizitë në Beograd

Bruksel, 23 shkurt 2025 (MIA) - Raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Serbinë, eurodeputeti kroat Tonino Picula, nga sot deri të mërkurën do të qëndrojë për vizitë në Beograd në një mision për verifikimin e fakteve.

Siç njoftoi PE, gjatë vizitës së tij të parë në Serbi si raportues i përhershëm për vendin, Picula do të takohet me lidershipin politik të vendit, anëtarë të partive në pushtet dhe në opozitë, si dhe me përfaqësues të mediave, shoqërisë civile dhe sektorit të biznesit.

Qëllimi i misionit për verifikimin e fakteve të Piculës është që të mbledhë informacion për Propozim-raportin e Parlamentit Evropian për progresin e Serbisë në përpjekjet e saj për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian gjatë viteve 2023 dhe 2024.

Picula të enjten në një takim të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) orezantoi një draft version të raportit, duke vlerësuar se Serbia nuk ka bërë përparim të vërtetë në rrugën e saj evropiane vitet e fundit.

Deputeti kroat theksoi se dokumenti shpreh shqetësim për çështjet e ngritura nga protestat e studentëve në Serbi, lidhur me transparencën, llogaridhënien dhe respektimin e të drejtave civile.

"Fillimi i procedurave ligjore kundër protestuesve, si dhe akuzat e autoriteteve serbe ndaj vendeve të BE-së për nxitje të protestave, janë krejtësisht të papranueshme", tha Picula.

 Picula i bëri thirrje gjithashtu Prishtinës dhe Beogradit që të bëjnë përpjekje për të ulur tensionet dhe për të zbatuar marrëveshjet e arritura.

"Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është vendimtar për progresin e Serbisë në rrugën drejt BE-së", theksoi Picula, duke shtuar se Beogradi duhet të tregojë qartë se është i orientuar strategjikisht drejt Unionit.

Pas prezantimit të projekt-versionit të raportit, eurodeputetët tani kanë të drejtë të paraqesin amendamentet e tyre, të cilat do të pasohen me harmonizimin e propozim-tekstit përfundimtar të dokumentit nga grupet politike në PE.

Draft raporti pritet të hidhet në votim në një seancë të AFET në prill, pas së cilës eurodeputetët do të duhet të votojnë për miratimin e tij në seancën e parë plenare të Parlamentit Evropian.

Ndryshe, Serbia ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2012, ndërsa negociatat i ka nisur dy vite më vonë. Deri më tani, vendi ka hapur 22 nga 35 kapitujt e procesit të negociatave, nga të cilët vetëm dy janë mbyllur. mb/

Foto: MIA

Тагови

Остани поврзан