• петок, 21 февруари 2025

Rama për BIRN: Veliaj mbetet kryetar i Tiranës, arrestimi i tij shkelje e standardeve demokratike

Rama për BIRN: Veliaj mbetet kryetar i Tiranës, arrestimi i tij shkelje e standardeve demokratike

Tiranë, 11 shkurt 2025 (MIA) – Kryeministri shqiptar Edi Rama arrestimin e kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, me urdhër të SPAK, e vlerëson shkelje të standardeve demokratike. 

Në një reagim për rrjetin e gazetarëve BIRN, Rama qëndroi në mbrojtje të kryetarit të Tiranës, duke bërë të ditur se Erion Veliaj do të mbetet në funksion. 

Rama e cilëson ndalimin e tij si shkelje të standardeve demokratike dhe se dosja hetimore ngjan me një roman voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe të bashkëshortes së tij.

Theksoi se dosja e Veliaj nuk ka çështje konkrete për korrupsion. 

“Jo vetëm që kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta. Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike”, deklaroi Rama.

Sipas tij, qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe i kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar. 

Në reagimin e parë për arrestimin e Veliaj, Rama mes tjerash tha “E morën nga zyra dhe e mbyllën në qeli pa gjyq, e lanë qytetin pa “kokë”. 

Mediat njoftuan se sot pasdite Rama në asamblenë e qytetit ka realizuar takim të shkurt me pesë zëvendëskryetarët e Tiranës, por nuk ka hollësi. fc/

Fotografia: Rama në Fejsbuk

Остани поврзан