• петок, 20 февруари 2026

Protestë e shoferëve të taksive në qendër të Athinës në kuadër të grevës treditore (Foto)

Protestë e shoferëve të taksive në qendër të Athinës në kuadër të grevës treditore (Foto)

 Athinë, 19 shkurt 2026 (MIA) - Për të theksuar edhe një herë kërkesat e tyre, me theks në kërkesën për prolongimin e detyrimit ligjor për zëvendësimin gradual të të gjitha taksive në Athinë dhe Selanik me taksi plotësisht elektrike, shoferët e taksive sot mbajtën një protestë në metropolin grek në kuadër të një greve treditore që filloi të martën, njoftoi korrespondentja e  MIA-s nga Athina.

 

Shoferët e taksive, të shoqëruar nga disa automjete, u nisën në këmbë nga zyrat e tyre sindikale, ecën nëpër rrugët qendrore të Athinës deri në Parlament dhe sheshin Sintagma, dhe vazhduan drejt destinacionit të tyre përfundimtar - Pallatit të Kryeministrit.

 

Përpara Parlamentit grek, ku ndodhet një monument i improvizuar në nder të viktimave të aksidentit hekurudhor në Tempi, shoferët e taksive me heshtje njëminutëshe  i bënë homazhe të vdekurve.

 

Qasja në Pallatin e Kryeministrit ishte bllokuar nga sigurimi i fortë policor, ndërsa  përfaqësuesit e Sindikatës u takuan me përfaqësues të kryeministrit grek.

 

Gjatë protestës, shoferët e taksive kërkuan dorëheqjen e zëvendësministrit të Transportit Konstantinos Kiranakis, i cili është përgjegjës për transportin me taksi.

 

Kryetari i Sindikatës së shoferëve tëtTaksive të rajonit të Atikës, Timios Liberopoulos, theksoi se "demokracia është në rrezik për sa kohë që Kiranakis është ministër" dhe se ai është i vetmi ministër në historinë moderne greke "që thotë: nëse nuk ju pëlqen ligji që po përgatis, braktisni profesionin".

 

Ndër kërkesat e tjera të shoferëve të taksive janë leja për përdorimin e korsisë së trafikut të destinuar për autobusët, zgjidhje për konkurrencën e padrejtë, si dhe tërheqja e vendimit që lejon përdorimin e automjeteve me qira me shofer në sektorin e turizmit, dispozita të përfshira në ligjin e ri të Ministrisë së Transportit që pritet të paraqitet në Parlament.

 

Greva treditore e shoferëve të taksive në Athinë filloi të martën dhe do të zgjasë deri nesër në mëngjes, ndërsa shoferët e taksive në të gjithë Greqinë janë në grevë për 48 orë, gjegjësisht  dje dhe sot.

Në kuadër të grevës treditore, shoferët e taksive në Athinë të martën mbajtën protestë me makinat e tyre drejt Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, dje protesta ishte në aeroportin e Athinës, ndërsa sot para Parlamentit dhe Pallatit të Kryeministrit. 

 

Në periudhë prej një muaji kjo është greva e katërt e shoferëve të taksive.

 Foto: MIA

 

Остани поврзан