Prokurori publik i shtetit Lupço Kocevski dha dorëheqje nga detyra (video)
- Prokurori publik i shtetit Ljupço Kocevski njoftoi sot se ka paraqitur dorëheqje të parevokueshme nga detyra e tij.
Shkup, 16 dhjetor 2025 (MIA) - Prokurori publik i shtetit Ljupço Kocevski njoftoi sot se ka paraqitur dorëheqje të parevokueshme nga detyra e tij.
Kocevski në shpjegimin që ai personalisht i dha mediave, theksoi se e kreu me nder dhe dinjitet detyrën që po linte, dhe se jepte dorëheqje për shkak të, siç tha ai, "mosrespektimit të dukshëm të parimeve mbi të cilat bazohet sundimi i ligjit".
"Dëshmi për këtë është se sot, vetëm një orë para fillimit të planifikuar, më është dërguar një ftesë për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit ku do të diskutohet shkarkimi im. Mocioni për shkarkim nuk më është dërguar fare, kështu që nuk e di se çfarë duhet të pranoj", tha Kocevski.
Për seancën e sotme të Kuvendit tha se është e dukshme se duhej të paraqesë vetëm formalitet, sepse nuk iu dha një periudhë e arsyeshme kohore për të përgatitur një fjalim të përshtatshëm.
"Kjo ndodh sepse është e qartë se ky është një propozim që nuk bazohet në ligj ose fakte, por përkundrazi paraqet një precedent të rrezikshëm me pasoja të gjera për pavarësinë e prokurorisë publike", tha Kocevski.
Nga informacioni që ka, ai tha se propozimi për shkarkimin e tij përmbante vetëm tre rreshta, asnjëri prej të cilëve nuk kishte shpjegime ose mbështetje të mjaftueshme argumentuese.
"Prokurori publik i shtetit mund të shkarkohet vetëm nëse përcaktohet se ka kryer një shkelje të rëndë disiplinore. Kjo nuk bëhet për të mbrojtur Ljupço Kocevskin ose këdo që do të marrë detyrën, por për të mbrojtur pavarësinë e Prokurorisë Publike dhe parimin e ndarjes së pushteteve, parime që sot shkelen thellësisht"..., tha Kocevski, ndër të tjera.
Kocevski e shfrytëzoi mundësinë të theksojë se pavarësisht kushteve komplekse në të cilat punon Prokuroria Publike, të dhënat e raporteve të sivjetme flasin për punën efikase të Prokurorisë.
"Janë përpunuar një numër i madh rastesh me interes të lartë publik, që përfshijnë të dyshuar të afërt me qendra të ndryshme politike dhe biznesi të pushtetit. Kjo flet për qasjen joselektive dhe objektive ndaj punës së Prokurorisë Publike. Kemi vendime përfundimtare për ryshfet dhe ndikim mbi gjyqësorin, kemi akuza aktive kundër ish kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, kemi ngritur akuza kundër grupeve të organizuara nga bota e drogës, kemi hetime të hapura për përvetësim të taksave, keqpërdorim të fondeve IPA dhe shumë raste të tjera në të cilat, për shkak të punës së pakujdesshme, i është shkaktuar dëm shtetit, sigurisht mbi njëzet, ndoshta tridhjetë raste të tilla. Më në fund, në një kohë rekord prej dy muajsh e gjysmë, përfunduam hetimin për zjarrin në diskotekën "Puls", dhe procedurat dhe kontrollet janë duke u zhvilluar për raste të tjera që dolën nga ajo procedurë", tha Kocevski, duke theksuar se e gjithë kjo është bërë në mënyrë joselektive dhe pa kompromis në kushte të vështira të sharjeve politike.
Kocevski shprehu bindje personale se Prokuroria ka kapacitet institucional të punojë në mënyrë objektive dhe të paanshme me ç'rast duke thënë se institucionet, siç tha, janë më të mëdha se individët, ndërsa drejtësia duhet të jetë më e madhe se politika.
Dorëheqja është paraqitur dhe dorëzuar në Kuvend, Në një letër zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi kërkon që deputetët në seancën e sotme ta konfirmojnë ndërprerjen e detyrës së tij si Prokuror Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe, në seancën e sotme të 76-të Kuvendi duhet të debatojë për Propozimin qeveritar për shkarkimin e Kocevskit.
Në Propozimin e paraqitur nga Qeveria thuhet se shkarkimi kërkohet për shkak të gabimeve të mëdha profesionale të bëra në menaxhimin e Prokurorisë Publike, zbulimit të paautorizuar të informacionit dhe të dhënave mbi çështjet gjyqësore, duke shkelur kështu detyrimin për të mbrojtur konfidencialitetin e procedurës së përcaktuar me ligj, si dhe për shkak të dëmtimit të reputacionit të Prokurorisë Publike dhe reputacionit të tij personal në tërësi duke mos vepruar në përputhje me detyrimet e parashikuara në Kushtetutë, ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën. sa/
Foto/video: MIA