Presidenti i Panamasë: Kanali nuk është dhurata nga SHBA-ja
- Presidenti i Panamasë, Hoze Raul Mulino në Davos deklaroi se Kanali i Panamasë i përket Panamasë dhe asnjëherë nuk ka qenë një dhuratë nga SHBA-ja, duke iu përgjigjur deklaratave të Donald Trampit se SHBA-ja do ta kthejë kontrollin mbi kanalin.

Davos, 22 janar 2025 (MIA) - Presidenti i Panamasë, Hoze Raul Mulino në Davos deklaroi se Kanali i Panamasë i përket Panamasë dhe asnjëherë nuk ka qenë një dhuratë nga SHBA-ja, duke iu përgjigjur deklaratave të Donald Trampit se SHBA-ja do ta kthejë kontrollin mbi kanalin.
"Ne plotësisht refuzojmë gjithçka që tha z.Tramp. Së pari sepse është një gënjeshtër dhe së dyti sepse Kanali i Panamasë i përket Panamasë dhe do të vazhdojë t'i përkasë Panamasë", tha Mulino gjatë një paneli diskutimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
"Kanali i Panamasë nuk ishte një koncesion apo dhuratë nga SHBA-ja", theksoi Mulino, por rezultat i marrëveshjeve prej disa dekadave.
Tramp, në fjalimin e tij inaugurues të hënën, përsëriti akuzën e tij se Kina po "menaxhon" me Kanalin e Panamasë përmes pranisë së saj në rritje rreth rrugës lundruese.
"Nuk ia dhamë Kinës, por Panamasë. Dhe po e kthejmë mbrapa", tha Tramp atëherë.
Kanali, i hapur në vitin 1914, u ndërtua nga SHBA-ja, por iu dorëzua Panamasë më 31 dhjetor 1999, sipas marrëveshjeve të nënshkruara rreth dy dekada më parë.
Panamaja u ankua në Kombet e Bashkuara për komentet e Trampit, duke cituar një nen të Kartës së OKB-së që parandalon çdo anëtar të kryej "kërcënim ose përdorim të forcës" kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të një tjetri.
“Kanali është i yni dhe do të mbetet i yni”. “Ne nuk lejojmë që deklarata të tilla të na shqetësojnë”, tha Mulino.
Kina gjithashtu u përgjigj sot, duke deklaruar se "asnjëherë nuk ka ndërhyrë në punët e kanalit".
Kanali i Panamasë është një rrugë ujore strategjike 80 kilometra e gjatë që lidh Oqeanin Atlantik dhe Paqësor, e ndërtuar nga SHBA-ja dhe e hapur në vitin 1914. Sipas marrëveshjes Torihos-Karter të vitit 1977, kanali iu dorëzua zyrtarisht Panamasë më 31 dhjetor 1999. ls/
Foto: EPA