• понеделник, 02 јуни 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Plakolm: Kandidatët e avancuar për anëtarësim, si Maqedonia e Veriut, duhet të kenë akses në programet e BE-së

Plakolm: Kandidatët e avancuar për anëtarësim, si Maqedonia e Veriut, duhet të kenë akses në programet e BE-së

Bruksel, 11 prill 2025 (MIA) - Për më shumë se 20 vjet kemi folur për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por nuk është arritur ndonjë përparim i rëndësishëm në këtë drejtim, sepse vendet fqinje shpesh "e pengojnë", tha Ministrja austriake për Evropën, Integrimin dhe Familjen, Klaudia Plakolm, në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve APA.

Ajo beson se BE-ja duhet t’u lejojë “kandidatëve të avancuar për anëtarësim”, si Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë,  të marrin pjesë në programet e Unionit.

“Kjo mund të ndodhë, për shembull, përmes një bashkëpunimi më të mirë ekonomik me përfitime të dukshme për popullatën dhe kompanitë në Ballkanin Perëndimor, gjë që, natyrisht, lidhet me përmbushjen e detyrimeve.Kjo mund të bëhet hap pas hapi dhe vendet që tashmë po bëjnë përparim të mirë mund të përfshihen në programet evropiane”, thotë Plakolm.

Ministrja austriake theksoi se shpreson dhe dëshiron që BE-ja të mirëpresë anëtarët e parë të rinj "në vitet e ardhshme, dhe gjithsesi deri në vitin 2030".

Për të përshpejtuar procesin e integrimit, sipas Plakolm, duhet të merret në konsideratë edhe kufizimi i të drejtës së vetos gjatë marrjes së disa vendimeve brenda BE-së që lidhen me zgjerimin.

“Do të ishte më e arsyeshme të ndërmerreshin disa hapa më shpejt dhe në fund të të gjithë procesit të ktheheshim te vendimmarrja me konsensus. Por mendoj se është e rëndësishme të arrihet uniteti dhe të diskutohen çështjet kryesore”, theksoi ministrja austriake.

Sipas saj, nëse vazhdon me këtë marrëdhënie, BE-ja rrezikon të humbasë besueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe ekziston rreziku që rajoni "të bëhet një lodër e fuqive të tjera gjeopolitike".

“Kjo po ndjehet, veçanërisht kur mendojmë për demonstratat në Serbi, se popullata atje është e gatshme për reforma, për integrimin evropian, më shumë se kurrë më parë dhe se tani, më në fund, nevojiten përmirësime të prekshme dhe të dukshme. Shihet se kjo mbështetet edhe nga të rinjtë, nga studentët, të cilët po dalin në rrugë dhe po kërkojnë gjëra të caktuara nga politika”, vuri në dukje Plakolm.

Ajo beson se dhënia e statusit të kandidatit për në BE të Ukrainës ishte një vendim gjeopolitik. - Është e qartë se ne, si Austri, si Bashkim Evropian, jemi të përkushtuar për të mbështetur Ukrainën. Sepse është një vend në tokën evropiane, i sulmuar më 24 shkurt të vitit 2022 dhe një afrim i forcuar me parimet tona evropiane, me vlerat tona, mund të jetë vetëm i dobishëm”, tha Plakolm.

Megjithatë, sipas saj, edhe nëse lufta mbaron së shpejti, Ukraina nuk do të jetë më e përgatitur se kandidatët e tjerë për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

“Këtu Ballkani Perëndimor është dukshëm përpara Ukrainës”, theksoi Plakolm, duke theksuar se “për disa vende” procesi i pranimit ka zgjatur më shumë se 20 vjet.

Foto:Iks

Остани поврзан