• сабота, 22 февруари 2025

Pistorius: Propozimi i Trampit për rritjen e buxhetit të NATO-s në 5 për qind "nuk është në tryezë"

Pistorius: Propozimi i Trampit për rritjen e buxhetit të NATO-s në 5 për qind

Berlin, 12 shkurt 2025 (MIA) - Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka refuzuar sot kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump që shtetet anëtare të NATO-s të rrisin buxhetet e tyre ushtarake në të paktën 5 për qind të bruto prodhimit të brendshëm (BPB), në vend të objektivit aktual prej 2 për qind.

"Jo, objektivi prej 5 përqind nuk është në tryezë," tha Pistorius. “Ka një kërkesë nga presidenti amerikan që të jetë 5 për qind, por vetë amerikanët janë ende shumë larg kësaj shifre", shtoi ai.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë u takua me Sekretarin e sapoemëruar amerikan të Mbrojtjes, Pit Hegset në selinë e NATO-s në Bruksel, ku u theksua kërkesa e Trampit për rritjen e financimit për mbrojtjen.

Pistorius pranoi se nivelet aktuale të shpenzimeve prej 2 për qind ose 2.5 për qind të BPB-së mund të mos jenë të mjaftueshme, por nënvizoi se sfidat buxhetore të Gjermanisë e bëjnë shumë të vështirë çdo rritje të konsiderueshme, veçanërisht duke pasur parasysh kufizimet e rrepta të borxhit publik në vend.

"Ne duhet të jemi realistë në këtë moment," tha Pistorius.

Buxheti i mbrojtjes i Gjermanisë aktualisht qëndron në rreth 2,1 për qind të BPB-së, ku një pjesë e konsiderueshme të mjeteve vijnë nga një fond special prej 100 miliardë eurosh i krijuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Ministri shpjegoi se për rritjen e shpenzimeve ushtarake gjermane në 3 për qind të BPB-së do të nevojitet një shtesë prej 65 deri në 68 miliardë euro nga buxheti total vjetor prej rreth 480 miliardë euro.

“Një rritje e tillë është e pamundur pa lehtësuar rregullat strikte të huamarrjes”, theksoi Pistorius. ls/

Foto: Arkiv 

 

Остани поврзан