Pinjo: Deri tani asnjë takim ose telefonatë nuk është dakorduar ndërmjet Fon der Lajen dhe Trampit
- Deri tani nuk është dakorduar ndonjë takim ose bisedë telefonike ndërmjet kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe presidentit të ri amerikan Donald Tramp, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo.
Bruksel, 14 janar 2025 (MIA) - Deri tani nuk është dakorduar ndonjë takim ose bisedë telefonike ndërmjet kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe presidentit të ri amerikan Donald Tramp, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo.
Ajo tha se menjëherë pas zgjedhjeve në SHBA nëntorin e kaluar, Fon der Lajen dhe Trampi biseduan në telefon, por prej atëherë nuk ka pasur kurrfarë kontakte mes tyre.
"Megjithatë, kuptohet, se komunikojmë për të siguruar kontakt sa më shpejtë të jetë e mundur, sapo Administrata e re (amerikane) të nisë me detyrë", shtoi Pinjo.
Në pyetjen plotësuese nëse "Fon der Lajen ka kërkuar takim me Trampin, por ai ka refuzuar", Pinjo u përgjigj se nuk ka pasur kërkesë personale nga kryetarja e KE-së por që "ideja është të kërkohet kontakt me Administratën e re sa më shpejtë të jetë e mundur".
"Për momentin nuk kemi kurrfarë hapësire konkrete për telefonatë ose takim", shtoi Pinjo.
E pyetur nëse kishte ndonjë zhvillim të ri pas deklaratës së saj javën e kaluar se kryetarja e KE-së Ursula fon der Lajen nuk ishte ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Trampit, që do të zhvillohet të hënën në Uashington, Pinjo tha se "nuk kishte zhvillime të reja" të ngjarjeve që lidhen me këtë".
"Kjo do të thotë se nuk ka ftesë për pjesëmarrje në inaugurim", deklaroi Pinjo.
Ajo, megjithatë shtoi se kjo nuk është e pazakontë, sepse Fon der Lajen nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje as në ceremoninë e inaugurimit të presidentit aktual amerikan Xho Bajden.
"Sipas njohurive tona, nuk ka informata se ndonjë kryetar i Komisionit Evropian deri tani ka marrë pjesë në inaugurimin e presidentit amerikan", shtoi Pinjo. sa/
Foto: Skrinshot