Peskov: Nuk ka asgjë të re në kërcënimet e Trampit për sanksione
- Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, deklaroi se Rusia "nuk sheh asgjë të re në kërcënimet" nga presidenti amerikan Donald Tramp për të vendosur sanksione të reja ndaj vendit nëse nuk arrihet një marrëveshje për Ukrainën.

Moskë, 23 janar 2025 (MIA) - Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, deklaroi se Rusia "nuk sheh asgjë të re në kërcënimet" nga presidenti amerikan Donald Tramp për të vendosur sanksione të reja ndaj vendit nëse nuk arrihet një marrëveshje për Ukrainën.
"Nuk shohim ndonjë gjë veçanërisht të re këtu. Tramp gjatë mandatit të tij të parë ishte presidenti amerikan që përdorte më së shpeshti metodat e sanksioneve, deklaroi Peskov, duke komentuar kërcënimet e Trampit për të vendosur tarifa dhe sanksione ndaj eksporteve ruse në SHBA nëse nuk arrihet një marrëveshje për luftën në Ukrainë.
Ai shtoi se Rusia me kujdes i monitoron të gjithë deklaratat nga Uashingtoni dhe i shënon.
Peskov theksoi se Rusia mbetet e hapur për dialog me SHBA-në dhe shpreson në vazhdimin e negociatave të barabarta. "Dialogu ka ekzistuar gjatë mandatit të parë të Trampit mes dy presidentëve. Ne jemi ende në pritje të sinjaleve që nuk kanë mbërritur”, tha ai.
Tramp dje deklaroi se konflikti ukrainas mund të përfundojë "në një mënyrë më të lehtë ose më të vështirë". Ai bëri thirrje për një marrëveshje me Rusinë për të zgjidhur krizën ukrainase dhe kërcënoi se do të vendosë tarifa dhe sanksione ndaj eksporteve ruse nëse nuk arrihet një marrëveshje.
“Është koha për të arritur një marrëveshje. Nuk ka më kohë për të humbur! Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, nuk do të kem zgjidhje tjetër veçse të vendos taksa, dogana dhe sanksione të larta për gjithçka që Rusia eksporton në SHBA dhe vendet e tjera të përfshira”, shkroi Trump në "Truth Social".
Deputeti i Dumës ruse, Leonid Ivlev vlerësoi se kërcënimet e Trampit janë “fjalë boshe” dhe se Rusia nuk pranon ultimatume dhe kërcënime.
"Tramp po përpiqet të imitojë çiltërsinë dhe ndershmërinë, por taktikat e tij të kërcënimit janë të gabuara. Nëse ai vendosi të bisedojë me Rusinë me ultimatum, po bën gabim”, tha Ivlev.
Ai shtoi se kërcënime të tilla të kujtojnë situatat në bejsbollin amerikan, kur një lojtar e lëshon topin jashtë zonës së goditjes, gjë që nuk llogaritet, dhe paralajmëroi se një qasje e tillë mund të çojë në një "gjobë me para". ls/
Foto: Arkiv