Pas arresitmit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, opozita kërkon dorëheqje të Ramës
- Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, opozita kërkon dorëheqje nga kryeministri Edi Rama, të cilin e quan "shef të piramidës së krimit".

Tiranë, 10 shkurt 2025 (MIA) - Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, opozita kërkon dorëheqje nga kryeministri Edi Rama, të cilin e quan "shef të piramidës së krimit".
Sipas liderit të demokratëve, Sali Berisha "piramida e krimit po shembet falë opozitës dhe popullit".
"Po konfirmohet se bëhet fjalë për organizatë kriminele. pa dyshim se ajo që ka ndodhur është meritë e qytetarëve dhe opozitës. Edi Rama duhet menjherë të japë dorëheqje, për shkak se është marionetë e Sorosit në Shqipëri dhe është shef i krimit në Shqipëri", deklaroi Berisha.
Partitë tjera opozitare, përveç kërkesës për dorëheqje urgjente të Ramës, mes tjerash përkujtojnë se me 46 protesta para Bashkisë së Tiranës, kanë kërkuar arrestimin e Veliajt.
Sipas tyre, sot e kanë arrestuar Veliajn "që ta mbulojnë lajmin se grupi i (Donald) Trampit që e ka udhëhequr fushatën presidenciale, do ta udhëheq fushatën e opozitës për zgjedhjet parlamentare më 11 maj".
Në reagimin në rrjetet sociale, ish lideri i demokratëve, Lulzim Basha e ka përshëndetur punën e SPAK-ut për "goditjen në Bashkinë e Tiranës", të cilën e ka quajtur "lavatriçe të parave të pista".
"Nën drejtimin e Erion Veliajt dhe me mbështetjen e Edi Ramës, Bashkia e Tiranës u kthye në një vatër korrupsioni dhe në lavatriçe të parave të pista, në shërbim të një grushti të vogël njerëzish dhe jo të qytetarëve. Fundi i pandëshkueshmërisë është fundi i tranzicionit në Shqipëri", ka shkruar Basha, duke i bërë thirrje Ramës që urgjentisht të japë dorëheqje.
Para fillimit të seancës plenare, deputetët dhe ministrat e Partisë Socialiste nuk dëshironin para gazetarëve ta komentojnë rastin.
"Për të ardhur keq është në aspektin njerëzor, por drejtësia duhet t'i hetojë akuzat", tha deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti.
Siç njoftuan mediumet, Rama, i cili për shkak të kësaj ngjarje e ka ndërprerë vizitën në Shkodër dhe u kthye në Tiranë, për sonte e ka konvokuar takimin e udhëheqësisë partiake. bsh/