Partia Demokratike e Kosovës në opozitë ka zgjedhur Bedri Hamzën lider të ri
- Partia kryesore opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka zgjedhur Bedri Hamzën lider të ri, raportoi gazeta Koha ditore.
Prishtinë, 18 nëntor 2025 (MIA) - Partia kryesore opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka zgjedhur Bedri Hamzën lider të ri, raportoi gazeta Koha ditore.
Hamza ishte kandidati i vetëm për këtë funksion dhe u zgjodh në mbledhjen e djeshme zgjedhore të partisë me shumicë votash, pasi ish-lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, dha dorëheqjen disa ditë më parë.
Krasniqi dje deklaroi se nën udhëheqjen e tij, partia është forcuar në katër vitet e katër muajt e fundit, por Kosova është "dobësuar". Ai kritikoi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti dhe tha se kjo është një arsye tjetër që PDK-ja të bëhet edhe më e fortë. Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës ka nevojë për një moment të ri uniteti, ndërsa lideri i saj duhet të jetë edhe kandidati i PDK-së për kryeministër.
Kryetari i sapozgjedhur i partisë, Bedri Hamza, i cili ishte kandidat për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të këtij viti në Kosovë, iu drejtua gjithashtu anëtarëve të partisë me një thirrje për unitet. Ai tha se ambicia e tij kryesore do të jetë forcimi i PDK-së dhe i Kosovës. Ai premtoi një rikthim të fortë për partinë dhe fitore të reja, raportoi Koha ditore.
Në pyetjen nëse mund të bashkëpunojë me partinë në pushtet të kryeministrit Kurti, Lëvizjen Vetëvendosje, Hamza tha se nuk kishte vija të kuqe ndaj asnjë force politike. "Mendoj se duhet të jemi përgjegjës për interesat e vendit dhe gjithmonë të marrim masat e nevojshme në dobi të shtetit", tha ai.
Përpara se Hamza të zgjidhet lider i ri i partisë, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj kritikoi procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri. Sipas Hoxhaj, ky proces nuk ishte demokratik, pasi zgjedhjet për kryetarin e ri duhej të mbaheshin brenda një jave për t'u dhënë më shumë njerëzve kohë për të shpallur kandidaturat e tyre për këtë funskion.
Ai shtoi se procesi u pengua nga kryetari aktual i partisë, Memli Krasniqi, i cili gjatë dorëheqjes ka shprehur mbështetje për Hamzën, gjë që çoi në mungesë të kushteve të barabarta për kandidatët potencialë për këtë funksion. Megjithatë, Hoxhaj deklaroi se do të pajtohet me çfarëdo që vendosin anëtarët e partisë.
Foto: PDK në Fejsbuk