• петок, 05 декември 2025

Përfundoi votimi, fillon numërimi

Përfundoi votimi, fillon numërimi

Shkup, 2 nëntor 2025 (MIA) – Në orën 19 janë mbyllur vendvotimet në të cilat qytetarët sot mund të votonin në rrethin e dytë të zgjedhjeve të teta lokale, për kryetarë të komunave në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe në tre vendvotime në Shuto Orizarë për këshilltarë. 

Sot nuk u votua për kryetarë të komunave në Gostivar, Vrapçishtë, Qendra Zhupë dhe në Mavrovë, ndërsa aty procedura do të përsëritet në afat prej 60 ditëve pas përfundimit të Zgjedhjeve Lokale. 

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune u votua në kryeqytet dhe në Aerodrom, Bogovinë, Bërvenicë, Vallandovë, Vinicë, Dibër, Debarcë, Demir Kapi, Karposh, Kërçovë, Konçe, Koçan, Krushevë, Kumanovë, Llozovë, Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Probishtip, Rankovcë, Rosoman, Strugë, Studeniçan, Tetovë, Qendër, Çeshinovë Obleshevë, Çucer Sandevë, Shuto Orizarë, Dollnen, Dojran dhe Zërnovc.

Të drejtë vote në rrethin e dytë të zgjedhjeve kanë 1 013 375 votues. Prej tyre të drejtë vote në Qytetin e Shkupit kanë 474 304 votues. 

Në kryeqytet në komunat Qendër, Aerodrom, Karposh kishte dy fletëvotime për votim sepse u zgjodh kryetar komune në Shkup dhe në vetëqeverisje lokale, përderisa në Shuto Orizarë në tre vendvotime u votua për kryetarë të komunave dhe kishte rivotim dhe për këshilltarë. Në komunat e tjera u votua vetëm për kryetar komune. 

Në zgjedhje morën pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur. 

Zgjedhjet i ndjekën 1 598 vëzhgues vendorë dhe të huaj, prej të cilëve 933 vendorë dhe 651 të huaj. 

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 17 jehona në Shkup është 28,52 për qind, ndërsa në të gjitha komunat në shtet ku votohet në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale përqindja e votuesve që dolën në votim është 39,28. Jehonë më të madhe të votimit ka në Konçe (64,44), ndërsa më të vogël në Saraj 8,77 për qind, njoftoi në konferencë për media Radica Todorovska Aleksovska, zëdhënëse e KSHZ-së. 

Në orën 19:00, qendrat e votimit u mbyllën. Votuesve të pranishëm në qendrën e votimit u lejohet të votojnë. Qendra e votimit në të cilën kanë votuar të gjithë qytetarët e regjistruar në Listën e Votuesve mund të mbyllet para orës 19:00, me pëlqimin paraprak të Komisionit Komunal Zgjedhor (KZZ) kompetent, por numërimi i votave nuk duhet të fillojë para orës 19:00.

Këshilli zgjedhor ia dorëzon procesverbalet dhe materialin tjetër zgjedhor Komisionit Komunal Zgjedhor, përkatësisht Komisionit Zgjedhor të Qytetit të Shkupit, në afat prej pesë orësh pas përfundimit të votimit. Materialin zgjedhor ia dorëzon KKZ-së kryetari i KZ-së i shoqëruar nga anëtarët e KZ-së ose përfaqësues të paraqitësve të listave dhe përfaqësues të policisë, nëse është e nevojshme.

Udhëheqësitë e partive janë në shtabet e tyre, ku i presin rezultatet e votimit, të cilat pritet të publikohen rreth mesnatës. 

Dje, një ditë para zgjedhjeve, nga gjithsej 4.826 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm të cilët mundën ta realizonin të drejtën e tyre të votës në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale votuan 3.327, informoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ). 

“Në 14 institucione ndëshkuese korrigjuese, ku 1.256 persona që vuajnë dënime me burg ose paraburgim mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, votuan 588 votues. Nga 214 personat e vendosur në institucione për kujdes jo-familjar, 125 votues votuan deri në orën 18:30 të mbrëmjes”, njoftoi KSHZ-ja.

Votimi, siç bëhet e ditur në kumtesë, për të gjitha këto kategori të votuesve u zhvillua pandërprerë dhe pa kurrfarë probleme dhe parregullsi. fc/

Foto: MIA

 

 

 

Остани поврзан