Osmani nuk është më trajner i Struga Trim Lum
- Kampioni Struga Trim Lum do të udhëhiqet nga një trajner tjetër për pjesën e mbetur të sezonit në Ligën e Parë të Maqedonisë në futboll.

Strugë, 23 shkurt 2025 (MIA) - Kampioni Struga Trim Lum do të udhëhiqet nga një trajner tjetër për pjesën e mbetur të sezonit në Ligën e Parë të Maqedonisë në futboll.
Shefi i mëparshëm i shtabit profesionist, Qatip Osmani, ka dhënë dorëheqje pas humbjes së djeshme ndaj Vardarit.
"Qatip Osmani nuk do ta drejtojë më ekipin e Struga Trim Lum. Pas rezultateve të dobëta, sidomos në fillim të sezonit pranveror, strategu tetovar dha dorëheqje nga pozita e kryetrajnerit dhe të njëjtën e pranuan edhe drejtuesit e klubit, të cilët do të vendosin për pasardhësin e tij në ditët në vijim. Qatip Osmani e mori drejtimin e Struga Trim Lum në fund të majit të vitit të kaluar, duke e udhëhequr ekipin në gjithsej 26 ndeshje (12 fitore, 5 barazime dhe 9 humbje). Klubi i shpreh mirënjohje për Osmanin për profesionalizmin e tij gjatë kohës së kaluar së bashku, duke i uruar gjithë të mirat në karrierën e tij të ardhshme", njofton Struga TL.
Osmani e ka drejtuar Strugën në 20 ndeshje në kampionat, dy në Kupën e Maqedonisë, dy në kualifikueset e Ligës së kampionëve dhe dy në kualifikimet e Ligës së konferencës. mb/
Foto: Struga TL