Orbani: Hungaria ndihmon ShBA-në që më mirë ta kuptojë situatën në Evropë dhe konfliktin në Ukrainë
- Kryeministri hungarez Viktor Orbani sot deklaroi se vendi po e ndihmon ShBA-në që më mirë ta kuptojë situatën në Evropën Qendrore dhe konfliktin në Ukrainë me qëllim që të lehtësojnë një zgjidhje paqësore.
Budapest, 17 shkurt 2026 (MIA) - Kryeministri hungarez Viktor Orbani sot deklaroi se vendi po e ndihmon ShBA-në që më mirë ta kuptojë situatën në Evropën Qendrore dhe konfliktin në Ukrainë me qëllim që të lehtësojnë një zgjidhje paqësore.
Duke e komentuar vizitën e sekretarit të Shtetit të ShBA-së Marko Rubio në Budapest, Orbani vlerësoi se vizita ishte e dobishme për ShBA-në.
"Amerika është larg, Evropa Qendrore është e ndërlikuar, e vështirë për t’u kuptuar, ndërsa perspektiva e luftës është krejtësisht e ndryshme nga ajo këtu. Po përpiqem t’i ndihmoj, amerikanët, duke u përpjekur t’u jap një perspektivë të ndryshme, më të afërt, më të gjerë, më historike, më të thellë, në mënyrë që të marrin vendime të mira në procesin e paqes", tha Orban në një video-mesazh në Fejsbuk.
Sekretari amerikan i Shtetit, dje, gjatë vizitës në Budapest, deklaroi se marrëdhëniet midis ShBA-së dhe Hungarisë janë në një "fazë të artë" dhe bazohen në bashkëpunim të fortë, i cili nuk është vetëm retorik, por edhe konkret në fushat e ekonomisë dhe energjisë.
Ai kujtoi lidhjet e ngushta midis Orbanit dhe presidentit të ShBA-së Donald Trampit dhe tha se Trampi është i përkushtuar ndaj Hungarisë dhe suksesit të saj.
Rubio përsëriti qëndrimin e ShBA-së se një nga qëllimet kryesore është përfundimi i luftës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, duke shtuar se ShBA-ja ka marrë iniciativën për të zhvilluar negociata midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa institucionet e tjera ndërkombëtare nuk kanë arritur të bëjnë përparim në këtë drejtim.
Foto: Arkivi i MIA-s