Oda e tregtarëve kërkon takim urgjent me Qeverinë, paralajmëron se kufizimi i marzheve do të shkaktojë mbylljen e marketeve dhe largime nga puna
- Odat ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë, kryesisht me produkte ushqimore dhe jo ushqimore, pije dhe duhan kërkuan takim urgjent me Qeverinë lidhur me vendimin për kufizimin e marzheve. Siç njofton Oda, vendimi i cili parasheh 10 për qind kufizim të marzhës do të rrezikojë mbijetesën e shitësve me pakicë dhe do t'i detyrojë ata të largojnë punëtorët, por edhe t'i mbyllin marketet.

Shkup, 13 shkurt 2025 (MIA) - Odat ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë, kryesisht me produkte ushqimore dhe jo ushqimore, pije dhe duhan kërkuan takim urgjent me Qeverinë lidhur me vendimin për kufizimin e marzheve. Siç njofton Oda, vendimi i cili parasheh 10 për qind kufizim të marzhës do të rrezikojë mbijetesën e shitësve me pakicë dhe do t'i detyrojë ata të largojnë punëtorët, por edhe t'i mbyllin marketet.
Dëmet, sipas Odës, do të jenë të mëdha, sepse vihet në rrezik mbijetesa e 86 kompanive tregtare me 790 dyqane dhe 4.700 punonjës.
"Në përgjithësi e kundërshtojmë vendimin për kufizimin e marzhës në 10 për qind. Me një marzhë të tillë nuk do të mundemi të mbijetojmë. Do të duhet të marrim vendime kufizuese për pushimin nga puna të punonjësve tanë, për ristrukturimin e punës dhe mbylljen e marketeve. Prandaj, kërkojmë urgjentisht të gjendet zgjidhje e përbashkët. Sugjerojmë të merren parasysh analizat që kanë treguar se marketet nuk janë përgjegjëse për rritjen e çmimeve, por politikën e çmimeve e drejtojnë furnitorët dhe prodhuesit. Theksojmë se çmimet nuk i rrisim asnjëherë vetë, por ndryshimi ndodh për shkak të ndryshimeve në çmimet e prodhuesve apo furnitorëve dhe pikërisht për këtë tregjet janë nën presion të vazhdueshëm për të pranuar listat e reja të çmimeve. Nëse kjo nuk bëhet, produktet nuk do të dorëzohen. Kjo rezulton në presion mbi tregjet dhe konsumatorët, qoftë mbi çmimet, qoftë mbi mungesat e produkteve. Vetëm në muajin janar, në markete erdhën listat e çmimeve nga mbi 40 furnitorë dhe prodhues në 92 kategori produktesh dhe nënkategori. Marzhi i fitimit në markete po zvogëlohet nga viti në vit, ndërsa te ata po rritet", thekson Oda.
Oda thekson gjithashtu se deri më tani, në formimin e çmimeve, nuk ka ndërhyrë asnjë Qeveri.
"Kemi ekonomi tregtare dhe çmimet formohen në varësi nga oferta dhe kërkesa, nëse ka ofertë të madhe, çmimet vetë ulen, pa intervenuar Qeveria, ndërsa për tu rritur oferta, duhet të rritet prodhimi. Kërkojmë të gjendet zgjidhje e arsyeshme, për të krijuar harmoni mes gjithë aktorëve, me qëllim që i gjithë sistemi të funksionojë dhe të gjithë ne të punojmë me sukses, si partnerë të vërtetë biznesi. Si biznesmenë serioz dhe të përkushtuar, me shumë vite ekzistencë dhe funksionim në sektorin e tregtisë, nuk duam të marrim masa radikale, protesta, bllokada... prandaj kërkojmë takim urgjent me Qeverinë, për të shpjeguar situatat. Kërkojmë që të zbardhen shkaqet e situatës dhe të mbahen përgjegjësi, e jo faji të kalojë te tregtarët. Besojmë, do të kuptohet për seriozitetin e gjendjes dhe do ta realizojmë takimin në një periudhë sa më të shpejtë, sepse masat populiste nuk i zgjidhin problemet në afat të gjatë", nënvizon Oda në komunikatën e saj.
Ai thekson gjithashtu se mbijetesa e tregtarëve rëndohet edhe nga taksa të tjera, siç është çmimi i energjisë elektrike.
"Çmimi i rrymës në janar të vitit 2024 - janar 2025 është rritur për 72%, për shpërndarje 25%. Pagat në vitin 2024 krahasuar me vitin 2025 janë rritur rreth 20%, ndërsa nga muaji mars do të ketë rritje të reja, ndërsa shpenzimet për pagat lëvizin nga 12 deri 15%. Përveç këtyre, t'i përmendim edhe faturat e tjera të shërbimeve, servisimin e pajisjeve me të cilat punojmë. Të gjitha këto ngarkesa nuk mund t'i përballojmë me një marzhë bruto prej 10%, domethënë nuk do të mund t'i vendosim mallrat në raft, e aq më pak t'i shërbejmë konsumatorëve tanë. Me 10% marzhë bruto nuk mund të mbulojmë shpenzimet operative, të cilat sillen nga 15-20%. Nëse shikoni shifrat, vihet re e vërteta, se marketet nuk janë shkaku i rritjes së çmimeve. Ndërsa shitësit me pakicë punojnë me fitime minimale, furnitorët vazhdojnë të bëjnë marzhe të konsiderueshme pa ulur çmimet. Në atë kuptim, duke marrë parasysh situatën, kërkojmë që t'i qasemi gjetjes së shkaqeve të situatës dhe të kërkohet përgjegjësi prej tyre, në vend që t'ua hedhim fajin tregtarëve. Problemi duhet të zgjidhet në mënyrë të përhershme, me kontrolle të vendosura mbi fitimet dhe marzhet e prodhuesve, importuesve dhe në fund tregtarëve", thekson Oda.
Oda ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë me prodhime ushqimore dhe joushqimore, pije dhe duhan u themelua më 10 shkurt të vitit 2025.
Qeveria sot në seancë pritet të marrë vendim për kufirin prej 10 për qind të marzhës në tregtinë me shumicë dhe pakicë i cili sipas njoftimeve pritet të përfshijë mbi 100 grupe produktesh. qa/
Foto: arkivi i MIA-s