• сабота, 22 февруари 2025

Në Riad do të negociojnë përfaqësues të SHBA-së dhe Rusisë

Në Riad do të negociojnë përfaqësues të SHBA-së dhe Rusisë

Riad, 18 shkurt 2025 (MIA) - Përfaqësues të lartë amerikanë dhe rusë, duke përfshirë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve, sot do të bisedojnë për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale dhe negociata për përfundimin e luftës në Ukrainë. Kjo do të jetë takimi më i rëndësishëm mes SHBA-së dhe Rusisë nga pushtimi i plotë i trupave ruse në Ukrainë para pothuaj tre viteve.

Bisedat në Arabinë Saudite janë edhe një hap i rëndësishëm i administratës së Trampit për ndryshimin e politikës amerikane ndaj izolimit të Rusisë dhe kanë për qëllim ta hapin rrugën për takim mes presidentit amerikan Donald Tramp dhe presidentit rus Vlladimir Putin, njoftuan mediumet amerikane.

Franca mbrëmë konvokoi takim urgjent të vendeve nga Bashkimi Evropian dhe Britanisë së Madhe për të vendosur si duhet të reagojnë evropianët.

Ministri rus i Punëve të Jashtme Sergej Lavrov dhe këshilltari i Putinit për punë të jashtme, Jurij Ushakov dje arritën në kryeqytetin e Arabisë Saudite. Ushakov tha se bisedat do të jenë "vetëm bilaterale" dhe nuk do të përfshijnë përfaqësues ukrainas.

Sipas tij, delegacioni i SHBA-së është përbërë nga "njerëz seriozë", por shtoi se Rusia "po ashtu ka ardhur me qasje serioze". "Është me rëndësi të fillojë normalizimi i vërtetë i marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-së", tha ai.

Sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio, këshilltari për siguri kombëtare Majk Uolc dhe i dërguari i posaçëm Stiv Uitkof do të takohen me delegacionin rus, deklaroi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tami Brus.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov tha se bisedimet do të orientohen kryesisht ndaj "rikthimit të spektrit të plotë të marrëdhënieve ruso-amerikane, si dhe në përgatitjen për negociatat e mundshme për zgjidhjen e çështjes ukrainase dhe organizimin e takimit të dy presidentëve".

Brus tha se takimi ka qenë me qëllim që të konfrimohet sa seriozisht rusët dëshirojnë paqe dhe nëse mund të fillojnë negociata të hollësishme.

"Unë mendoj se qëllimi i të gjithëve është padyshim të konfirmojnë nëse mund të ketë përparim," u tha ajo gazetarëve, që udhëtonin me Rubion në Riad. Brus shtoi se edhe pse Ukraina nuk do të jetë sot në tryezën e bisedimeve, negociatat reale paqesore do të zhvillohen vetëm me pjesëmarrjen e saj. bsh/

Остани поврзан