Numri i viktimave në zjarrin në hotelin në Turqi është rritur në 76, janë arrestuar nëntë persona
- Së paku 76 persona kanë humbur jetën nga zjarri që shpërtheu herët në mëngjesin e sotëm në një hotel në ski-qendrën Kartalkaja në veri të Turqisë, njoftojnë mediat turke.

Ankara, 21 janar 2025 (MIA) - Së paku 76 persona kanë humbur jetën nga zjarri që shpërtheu herët në mëngjesin e sotëm në një hotel në ski-qendrën Kartalkaja në veri të Turqisë, njoftojnë mediat turke.
Ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja konfirmoi se numri i të vdekurve nga zjarri është rritur në 76.
Më herët gjatë ditës së sotme u raportua se nga zjarri kanë mbetur të lënduar 51 persona, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike për jetën. Shtatëmbëdhjetë prej tyre janë lëshuar nga spitali pas ndihmës mjekësore.
Jerlikaja shtoi se nëntë persona janë arrestuar deri më tani si pjesë e hetimit për zjarrin në hotel.
Zjarri shpërtheu mëngjesin e sotëm në ski-qendrën në Kartalkaja, që ndodhet afërsisht 295 kilometra në lindje të Stambollit.
Shërbime të shumta emergjente nga qytetet fqinje u dërguan në vendin e aksidentit, duke përfshirë zjarrfikës, ekipe të reagimit ndaj fatkeqësive dhe ekipe mjekësore, të mbështetur nga helikopterë. Rreth 230 persona janë evakuuar nga hoteli dhe hetimet për shkaqet e zjarrit janë duke vazhduar.
Kartalkaja, që ndodhet në provincën Bol, është një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit dimëror në Turqi, duke tërhequr mijëra vizitorë gjatë sezonit të skive.
Në Turqi është shpallur ditë zie kombëtare, konfirmoi presidenti Rexhep Taip Erdogan. mb/
Foto: Anadollu