NOMAGAS ka mbyllur tenderin për zgjedhjen e kontraktuesit për gazsjellësin me Greqinë
- NOMAGAS SHA Shkup sot mbylli tenderin për zgjedhjen e kontraktuesit të punëve ndërtimore për ndërtimin e interkonektorit të gazsjellësit me Greqinë pas skadimit të afatit për pranimin e ofertave. Në tender janë paraqitur pesë kompani njëra prej të cilave vendase, dy janë kompani italiane dhe nga një serbe dhe turke
Shkup, 20 nëntor 2024 (MIA) - NOMAGAS SHA Shkup sot mbylli tenderin për zgjedhjen e kontraktuesit të punëve ndërtimore për ndërtimin e interkonektorit të gazsjellësit me Greqinë pas skadimit të afatit për pranimin e ofertave. Në tender janë paraqitur pesë kompani njëra prej të cilave vendase, dy janë kompani italiane dhe nga një serbe dhe turke.
"Është hapur procedurë e tenderimit, ndërsa kompania që do të zgjidhet do të ketë afat prej dy vitesh për ndërtimin e interkonektorit në pjesën e Maqedonisë në gjatësi prej 67 kilometra. Pritet që deri në fund të vitit të finalizohet përzgjedhja, si dhe nënshkrimi i kontratave të nevojshme me kompaninë që do të kryejë punimet e ndërtimit, që sipas pritshmërive ndërtimi do të fillojë në pranverë", potencojnë nga NOMAGAS.
Mjetet për ndërtimin e interkonektorit janë siguruar përmes kredive dhe granteve nga institucionet financiare ndërkombëtare, mes të cilëve 28.9 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve, 44 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 9.9 milionë euro grant investimi përmes VBIF-së, si dhe grant 100 për qind për asistencë teknike përmes programit VBIF për mbikëqyrje, organ inspektues dhe ndihmë administrative për NOMAGAS SHA Shkup.
"Projekti është një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës në sektorin e energjisë, si në vend ashtu edhe në rajon i cili duhet të sigurojë burim alternativ të gazit natyror dhe diversifikimin e furnizimit. Gazsjellësi do të mundësojë jo vetëm transportin e gazit natyror, por edhe të hidrogjenit i cili do të kontribuojë në kalimin në energjinë e gjelbër dhe përmbushjen e standardeve evropiane", theksojnë nga NOMAGAS. rq/
Foto: printskrin