Një person e humbi jetën në të shtënat e reja në Buksel (PLT)
- Një burrë është vrarë sot herët në mëngjes në një incident të ri me armë zjarri në lagjen Anderleht të Brukselit i cili, sipas autoriteteve lokale, ka të bëjë me trafikun e drogës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli.

Bruksel, 7 shkurt 2025 (MIA) - Një burrë është vrarë sot herët në mëngjes në një incident të ri me armë zjarri në lagjen Anderleht të Brukselit i cili, sipas autoriteteve lokale, ka të bëjë me trafikun e drogës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli.
"Rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm sërish ka pasur të shtëna në Anderleht. Ka një person të vdekur, një burrë që ende nuk është identifikuar", deklaroi paradite zëdhënësja e policisë lokale, Sara Frederiks.
Ajo shtoi se po hetohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe se në vendngjarje ka arritur gjyqtari hetues dhe ekspertët e mjekësisë ligjore.
Ky është incidenti i katërt i armatosur në Bruksel në tre ditët e fundit, tre prej të cilëve kanë ndodhur në Anderleht, ndërsa një në lagjen fqinje të Sen Zhos. Dhe incidenti i sotëm, si dy të mëparshmit në Anderleht, ndodhi në afërsi të stacionit të metrosë "Klemenso".
Sipas kryetarit të komunës së Anderlehtit, Fabris Kamps bëhet fjalë për një luftë mes grupeve kriminale për kontrollin e territorit.
"Kjo dhunë është ndoshta lufta mes mafiozëve. Ata po bëjnë një luftë për 'bari'", deklaroi Kamps për radion shtetërore RTBF.
Ai kërkoi një prani të shtuar të policisë në terren dhe u bëri thirrje komunave që të marrin "burimet e duhura dhe të mjaftueshme" që të mund të "presin kokën" rrjeteve kriminale që qëndrojnë pas këtyre akteve të dhunës. rq/
Foto: skrinshot