Njëzet e një vjet nga vdekja e presidentit Boris Trajkovski
- Në Shkup, Strumicë dhe Rotimlje afër Mostarit sot do të shënohet 21 vjetori i aksidentit të aeroplanit në të cilin humbën jetën ish presidenti Boris Trajkovski, anëtarët e kabinetit të tij dhe ekuipazhi i aeroplanit.

Shkup, 26 shkurt 2025 (MIA) - Në Shkup, Strumicë dhe Rotimlje afër Mostarit sot do të shënohet 21 vjetori i aksidentit të aeroplanit në të cilin humbën jetën ish presidenti Boris Trajkovski, anëtarët e kabinetit të tij dhe ekuipazhi i aeroplanit.
Anëtarët e familjes, delegacione shtetërore dhe të tjera do të vendosin lule te varri i Trajkovskit në varrezat e qytetit - Butel në Shkup dhe në memorialet në Rotimlje dhe Strumicë.
Presidenti Boris Trajkovski vdiq në këtë ditë të vitit 2004 në një aksident aeroplani afër Mostarit. Në aksident, përveç Trajkovskit, kanë humbur jetën Dimka Ilkova-Boshkoviq, Risto Blazhevski dhe Anita Krishan Lozanovska nga Kabineti i Presidentit, Mile Krstevski nga Ministria e Punëve të Jashtme, Boris Velinov dhe Ace Bozhinovski, anëtarë të ekipit të sigurisë, si dhe pilotët Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.
"Kinger"-i qeveritar me të cilin presidenti Trajkovski po udhëtonte në një Konferencë Ndërkombëtare të Investimeve në Bosnje dhe Hercegovinë u rrëzua më 26 shkurt të vitit 2004 në hyrje të Matiq Bërdos pranë fshatit Huskoviqi afër Mostarit. Aeroplani ishte planifikuar të ulej në aeroportin e Mostarit në orën tetë sipas kohës lokale. Mbetjet u gjetën 24 orë pas rrëzimit të aeroplanit.
Nga hetimi fillestar të kryer nga autoritetet kompetente maqedonase dhe boshnjake, rezultoi se shkaku i rrëzimit ishin gabimet e ekuipazhit të bëra gjatë procedurës së afrimit në aeroportin e Mostarit në kushte komplekse meteorologjike, mjegull të dendur dhe vranësira.
Me kërkesë të autoriteteve maqedonase, pas mbledhjes së provave shtesë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, në janar të vitit 2013 u hap një hetim i ri, i udhëhequr nga një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga Omer Kuliq. Dhe raporti i tyre përmendi gabimet e ekuipazhit dhe dështimet e sistemit si shkaqet kryesore të aksidentit.
Boris Trajkovski u lind në Strumicë më 25 qershor të vitit 1956. Ai ishte presidenti i dytë i Republikës së Maqedonisë nga 15 dhjetor i vitit 1999 deri më 26 shkurt të vitit 2004.
Trajkovski u diplomua në Fakultetin Juridik në vitin 1980, specializoi ligjin tregtar dhe të drejtën e marrëdhënieve të punës.
Nga 21 dhjetori i vitit 1998 ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e udhëhequr nga Ljubço Georgievski. Trajkovski ishte edhe kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të VMRO-DPMNE-së, këshilltar kryesor politik për politikë të jashtme të kryetarit të partisë, anëtar i Kryesisë së organizatës joqeveritare Lëvizja Panevropiane për Republikën e Maqedonisë dhe të konferencës ndërkombëtare "Zgjidhja e konflikteve" me seli në Atlanta, SHBA. Ai ishte kryetar i rinisë në Kishën e Bashkuar Metodiste në ish Jugosllavi për më shumë se 12 vjet.
Ai u zgjodh president i Republikës së Maqedonisë në vitin 1999. Shërbeu si kreu i shtetit deri më 26 shkurt të vitit 2004, kur vdiq në një aksident aeroplani në afërsi të Mostarit. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s