• вторник, 30 декември 2025

Nga 1 janari në Bruksel fillon ndalimi për automjetet me naftë me standard Euro 5 dhe për automjetet me benzinë me standard Euro 2

Nga 1 janari në Bruksel fillon ndalimi për automjetet me naftë me standard Euro 5 dhe për automjetet me benzinë me standard Euro 2

Bruksel, 29 dhjetor 2025 (MIA) - Automjetet me naftë që i përmbushin standardet Euro 5 dhe automjeteve me benzinë që përmbushin standardet Euro 2, nga 1 janari i vitit 2026, do t’u ndalohet lëvizja në rajonin e Brukselit, njoftoi Agjencia Rajonale e Mjedisit Jetësor të Brukselit.

Agjencia informoi edhe se për ndalim të tillë do të dërgojë letra paralajmëruese pronarëve të automjeteve që nuk janë në përputhje me rregullat, duke i kujtuar se do të përmballen me një gjobë prej 350 urosh nëse e shkelin ndalimin dy herë brenda një periudhe prej tre muajsh. 

Një ndalim i tillë është pjesë e planit për uljen e emetimeve të gazrave të dëmshëm në Bruksel, i njohur si LEZ, që implementohet në faza.  

Parlamenti rajonal i Brukselit më parë kishte vendosur të shtyjë hyrjen në fuqi të ndalimit, por Gjykata Kushtetuese e Belgjikës në mes të këtij muaji e anuloi këtë vendim të deputetëve të Bruskelit.

Përndryshe, përveç automjeteve, ndalimi i lëvizjes në Bruksel do të zbatohet edhe për motoçikletat që përmbushin standardet Euro 1 ose Euro 2.

Sipas Agjencisë Rajonale për Mjedisin Jetësor, ndalimi do të prek rreth 33,000 automjete të regjistruara në Bruksel, që përbën rreth shtatë përqind të totalit të automjeteve në qytet.

Faza tjetër e LEZ do të filloj më 1 janar të vitit 2028, prej kur do të ndalohet lëvizja e automjeteve me naftë me standardin Euro 6 dhe e automjeteve me benzinë me Euro 3. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан