• сабота, 22 февруари 2025

Nesër inaugurimi i presidentit të Kroacisë Zoran Millanoviq, HDZ-ja bojkoton

Nesër inaugurimi i presidentit të Kroacisë Zoran Millanoviq, HDZ-ja bojkoton

Zagreb, 17 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq nesër do të japë betim për mandatin e tij të dytë pesëvjeçar. Në inaugurimin në Pallatin presidencial të Pantovçakut do të marrin pjesë rreth njëqind të ftuar, mes të cilëve dhe katër nënkryetarë të Kuvendit, por askush nga Qeveria.

Milanoviq përsëri u rizgjedh për president më 12 janar, kur në rrethin e dytë ka mundur kundërshtarin Dragan Primorac i mbështetur nga Bashkësia Demokratike Kroate (HDZ).

Inaugurimi i cili do të fillojë nesër paradite, do të ndiqet nga ish kryetarët e shtetit, përfaqësues të institucioneve dhe shoqatave, pjesëtarë të forcave të armatosura, liderë fetarë, liderë të partive që e mbështetën Milanoviqin, si dhe familjarë e miq të tij.

Ceremonia do të fillojë me formimin e Gardës së nderit para Pallatit presidencial, ndërsa pastaj presidenti Milanoviq me bashkëshorten Sanja do të hyjë në sallën e ceremonive, ku do të jenë të ftuarit dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë inaugurim do të ketë të ftuar më shumë se sa pesë vite më parë, kur morën pjesë rreth 40 persona. Në mesin e të ftuarve do të jenë edhe tre ish presidentët – Stipe Mesiq, Ivo Josipoviq dhe Kolinda Grabar-Kitaroviq.

Milanoviq ka dërguar ftesë deri tek kryeministri Andrej Plenkoviq dhe nënkryetarët e Qeverisë, por ata nuk do të marrin pjesë. Në ceremoni nuk do të vijnë kryetari i Kuvendit, Gordan Jandrokoviq dhe nënkryetari i HDZ-së, Zheljko Rajner të cilët kanë kërkuar falje. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан