MPJTJ: Po punohet në kthimin e qytetarëve të RMV-së nga Izraeli, Emirate e Bashkuara Arabe dhe Katari
- Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se po punon intensivisht për të siguruar kushte për evakuimin e duhur dhe të sigurt të qytetarëve të RMV-së nga zonat e prekura, përfshirë edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shkup, 3 mars 2026 (MIA) - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se po punon intensivisht për të siguruar kushte për evakuimin e duhur dhe të sigurt të qytetarëve të RMV-së nga zonat e prekura, përfshirë edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas Ministrisë, aktualisht po zhvillohen plane për kthimin e qytetarëve të RMV-së nga Izraeli nëpërmjet Egjiptit, duke përdorur fluturime komerciale dhe nëse është e nevojshme, aeroplanin qeveritar. Për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, po shqyrtohet mundësia e angazhimit të një fluturimi komercial ose çarter, varësisht nga kushtet e sigurisë dhe logjistike.
"Në periudhën e kaluar, është ofruar ndihmë nëpërmjet misioneve diplomatike dhe konsullore në evakuimin e sigurt të një personi nga Irani - një futbollisti, i cili u kthye në Republikën e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet Turqisë. Përveç kësaj, gjashtë qytetarë maqedonas nga Izraeli tashmë kanë siguruar bileta aeroplani nga Egjipti për në Shkup, me ç'rast Ministria ndihmon në mënyrë aktive në koordinimin dhe largimin e tyre", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Nga Ministria theksojnë se siguria e qytetarëve të RMV-së mbetet prioriteti më i lartë.
Ministria, siç theksohet në komunikatë, në komunikim të drejtpërdrejtë me vendet mike dhe partnerë, si dhe përmes misioneve diplomatike dhe konsullore, po ndërmerr të gjitha aktivitetet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt dhe në kohë në vend.
Në përputhje me informacionin e marrë nga autoritetet kompetente, evakuimi nga toka nuk rekomandohet ende për qytetarët që ndodhen në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Evakuimi do të fillojë në rastin e parë të sigurt, pas së cilës shqyrtohen mundësitë për largimin e tyre të sigurt sapo të krijohen kushtet e përshtatshme.
Sipas të dhënave të fundit, që nga fillimi i konfliktit deri më sot, gjithsej 473 qytetarë të RMV-së kanë kontaktuar misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, Doha dhe Abu Dabi.
"Nga këta, 19 persona janë raportuar nga Izraeli, 106 nga Katari, ndërsa 348 qytetarë i janë drejtuar PDK-së, Abu Dabi. Ky numër përfshin edhe 18 persona nga Kuvajti, si dhe 12 persona nga Bahreini", informoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. mb/
Foto: MIA