• вторник, 14 јануари 2025

Miteva: Bëjmë thirrje për dialog me sindikatat, dyshojmë se pas këtij hapi ka prapavijë politike

Miteva: Bëjmë thirrje për dialog me sindikatat, dyshojmë se pas këtij hapi ka prapavijë politike

Shkup, 14 janar 2025 (MIA) - Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva sot në konferencë për shtyp theksoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për protestën e mbajtur nga sindikata e AOGJSH-së dhe theksoi se ka dyshime se ajo është e motivuar politikisht. Ajo nënvizoi se Qeveria është partner i të gjithëve dhe është e hapur për të gjitha propozimet dhe sugjerimet. 

"Çdo grevë duhet të organizohet në përputhje me Ligjin për marrëdhënie të puns dhe marrëveshjet kolektive. Duhet të paralajmërohet në përputhje me ligjin, të zbatohet edhe procedura e pajtimit, e cila gjithashtu është e detyrueshme dhe të përcaktohen detyrat e nevojshme që duhet të kryhen. Meqenëse për fat të keq asnjë nga këto kushte ligjore ekzistuese nuk është plotësuar, flet për paligjshmërinë e grevës dhe ngre dyshime të forta se kjo grevë është e motivuar politikisht", tha Miteva.

Sipas Mitevës, befason fakti qe ky është hapi i parë i bërë nga AOGJSH në vend të dialogut, që është mënyra dhe metoda e parë demokratike për funksionim. 

"Për vetëm gjashtë muaj arritëm marrëveshje për rritjen e pagave të punëtorëve në shëndetësi, në arsim, ndërsa janë rritur edhe pensionet. Qeveria gjithashtu siguroi edhe shtesë të pagave dhe K-15 për të gjithë të punësuarit", tha Miteva. 

Ajo vuri në dukje se ka mekanizma të shumtë përmes të cilëve mund të ngrihen këto çështje, duke përfshirë Këshillin Ekonomiko-Social të themeluar nga Qeveria, ku merr pjesë Sindikata dhe ata duhej dhe mund ta hapnin këtë çështje.

"Është interesant fakti që gjatë viteve të fundit kjo Sindikatë ka heshtur për këtë çështje dhe me keqardhje duhet të theksojmë se dyshojmë hapur se pas këtij hapi fshihet një prapavi politike e Sindikatës, e cila vepron si krah i zgjatur i partive që fatkeqësisht i kanë keqpërdorur të drejtat e punëtorëve. Ne si qeveri po i shikojmë gjërat realisht dhe nuk jemi të kënaqur me nivelin e pagave në administratë, por po e përsëris se dialogu është rruga e duhur për të gjetur zgjidhje", theksoi Miteva.

Në pyetjen e një gazetari se a është e mundur të realizohet rritja e pagave prej 30 për qind siç kërkohet nga Sindikata, Miteva është përgjigjur se janë gjithmonë të hapur për dialog dhe si qeveri do t'i qasen zgjidhjes.

"Kemi thënë se jemi gjithmonë të hapur për dialog, përmes të cilit ne si Qeveri do t'i qasemi gjetjes së zgjidhjes. Ne si qeveri kemi dhënë një dinamikë të drejtpërdrejtë dhe serioze punës së atij Këshilli Ekonomiko-Social. Ne kemi takime mujore ku të gjithë palët e interesuara mund të ngrenë çdo çështje. Më duhet të theksoj se deri më tani asgjë e tillë nuk është diskutuar në ato takime. Ne nuk e konsiderojmë të drejtë që të hedhim hapin e parë si grevë, sepse mendojmë se kemi treguar gjatë gjashtë muajve të fundit se mundemi dhe dimë të zhvillojmë dialog dhe të realizojmë kërkesat. Ne bëjmë thirrje për dialog, jo për grevë", ka shtuar Miteva.

Të punësuarit të disa ministrive, Entit Shtetëror të Statistikave dhe Arkivit Shtetëror sot kanë mbajtur protestë paralajmëruar duke kërkuar nënshkrim të marrëveshjeve kolektive dhe pagesë të 30 për qind të shtesave të pagave. Në protestë kanë dalë punonjësit e Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Transformimit Digjital, për Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave, Drejtësisë, Kulturës dhe Turizmit, Ekonomisë dhe Punës dhe Transportit.

Protestat, siç është paralajmëruar, do të vazhdojë çdo ditë nga ora 11 deri në orën 11:30, ndërsa të premten nga ora 11 deri në orën 12 do të mbahet protestë para Ministrisë së Financave. ls/

Foto: Printskrin 

Тагови

Остани поврзан