Ministria e Energjetikës filloi një proces për harmonizimin e Ligjit për automjete me rregullat evropiane
- Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale po fillon një proces për harmonizimin e Ligjit për Automjete me Rregulloren Evropiane BE 2018/858 dhe standardet moderne në procedurat për miratimin, importin dhe mbikëqyrjen e automjeteve.
Shkup, 1 dhjetor 2025 (MIA) - Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale po fillon një proces për harmonizimin e Ligjit për Automjete me Rregulloren Evropiane BE 2018/858 dhe standardet moderne në procedurat për miratimin, importin dhe mbikëqyrjen e automjeteve.
Me qëllim marrjen e udhëzimeve të qarta për harmonizimin e Ligjit për Automjete, takimi i punës me përfaqësues nga Byroja e Metrologjisë, Drejtoria Doganore, Këshilli i Metrologjisë dhe disa institucione përkatëse që janë pjesë e procedurave për miratimin, importin dhe kontrollin e automjeteve u drejtua nga Dr. Robert Jeronçiq, një ekspert i njohur nga Republika e Sllovenisë me shumë vite përvojë në zhvillimin dhe zbatimin e legjislacionit evropian për automjetet.
Në takim, siç informojnë nga Ministria e Energjetikës, mori pjesë edhe ministrja Sanja Bozhinovska, e cila e theksoi nevojën për një qasje sistematike dhe konsistente në zbatimin e legjislacionit në këtë fushë.

"Ligji i Maqedonisë së Veriut për Automjete më në fund duhet të fillojë të zbatohet në mënyrë konsistente dhe në përputhje me rregullat evropiane. Është koha që të përshpejtohen seriozisht proceset dhe të vendosen procedura të qarta, të sakta dhe të parashikueshme", theksoi Ministrja Bozhinovska.
Ajo shtoi se institucionet tashmë kanë marrë "udhëzime të qarta për harmonizim të përshpejtuar dhe thelbësor me rregulloren e Bashkimit Evropian".
Qëllimi i takimit ishte përcaktimi i hapave specifikë për krijimin përfundimtar të një sistemi të harmonizuar, të qartë dhe të parashikueshëm, i cili do të sigurojë përshtatjen e plotë të legjislacionit kombëtar me rregulloret evropiane, procedura moderne për miratimin dhe importin e automjeteve, mbikëqyrje më të rreptë dhe efikase - rend institucional të përforcuar në të gjitha fazat e procesit - nga dokumentimi deri te kontrolli, kumtuan nga Ministria e Energjetikës.
Në takim, shtohet në kumtesën, përmes shkëmbimit të praktikave dhe ekspertizës, u konfirmua vendosmëria e përbashkët për të vendosur rend, transparencë më të madhe dhe harmonizim të plotë me standardet evropiane. Si vazhdimi i punës së sotme, nesër do të mbahet edhe një punëtori e specializuar mbi të njëjtën temë, në të cilën do të marrin pjesë të gjitha institucionet dhe shërbimet përkatëse të ekspertëve. Punëtoria synon finalizimin e udhëzimeve teknike dhe përgatitjen e ndryshimeve specifike për modernizimin e Ligjit për Automjete.
Ministria, theksohet, vazhdon të punojë në mënyrë aktive dhe sistematike për harmonizimin me legjislacionin evropian dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për kontroll dhe mbikëqyrje, me qëllim ndërtimin e një tregu modern, të sigurt dhe transparent të automjeteve. ls/
Foto: Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale