Ministri saudit i Punëve të Jashtme mbërriti për vizitë historike në Damask
- Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princi Fejsal bin Farhan al-Saud, ka mbërritur në kryeqytetin sirian, Damask, ku pritet të takohet me liderin de fakto të Sirisë, Ahmed al-Shara.

Damask, 24 janar 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princi Fejsal bin Farhan al-Saud, ka mbërritur në kryeqytetin sirian, Damask, ku pritet të takohet me liderin de fakto të Sirisë, Ahmed al-Shara.
Aeroplani i princit u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut. Kjo është vizita e parë e një diplomati saudit në Siri që nga rënia e Bashar al-Asad muajin e kaluar dhe marrja e pushtetit nga grupet e armatosura të udhëhequra nga islamikët.
Qeveria e re në Siri ka shprehur dëshirën për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet me Arabinë Saudite, ndërsa ministri sirian i Punëve të Jashtme, Asad al-Shibani e vizitoi Arabinë Saudite në fillim të këtij muaji, vizita e tij e parë zyrtare që nga marrja e detyrës.
Ahmed al-Shara deklaroi se Arabia Saudite do të luajë një rol kyç në të ardhmen e Sirisë dhe bëri thirrje për ndihmë për të rindërtuar ekonominë dhe infrastrukturën, të cilat janë shkatërruar në më shumë se 13 vjet luftë civile. ls/
Foto: EPA