Ministri izraelit i Mbrojtjes kërkoi nga ushtria plan për idenë e Trampit për shpërngulje nga Gaza
- Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Kac, ka urdhëruar ushtrinë që të përgatisë një plan që do t'u mundësojë banorëve të Gazës të largohen vullnetarisht nga enklava palestineze, publikoi kabineti i tij.

Tel Aviv, 6 shkurt 2025 (MIA) - Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Kac, ka urdhëruar ushtrinë që të përgatisë një plan që do t'u mundësojë banorëve të Gazës të largohen vullnetarisht nga enklava palestineze, publikoi kabineti i tij.
Në kumtesën thuhet se Kac e përshëndeti "planin e guximshëm të presidentit amerikan Donald Tramp", i cili "mund të mundësojë një pjesë të madhe të popullsisë së Gazës të udhëtojë në vende të ndryshme anembanë botës", shkruan "Tajms of Izrael".
“Hamasi përdori popullin e Gazës si mburojë të gjallë dhe ndërtoi një infrastrukturë terroriste atje, ndërsa tani po i mban si peng, duke zhvatur para prej tyre duke përdorur ndihmën humanitare dhe duke i penguar ata të largohen nga Gaza”, thuhet në kumtesën. Kac tha se ka urdhëruar ushtrinë të përgatit një plan sipas të cilit çdo banor i Gazës që dëshiron të mund të emigrojë në cilin do vend që do të pranojë ta pranojë atë.
Ai përmendi në mënyrë konkrete destinacionet e mundshme si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe vende të tjera që kanë bërë, siç tha, "akuza të rreme" në lidhje me luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë, duke argumentuar se nëse këto vende refuzojnë të pranojnë palestinezët, "hipokrizia e tyre do të ekspozohet".
Kac e përmendi edhe Kanadanë, e cila ka një "program të organizuar imigrimi" dhe që "ka shprehur më parë gatishmëri për të pranuar banorët e Gazës".
Plani do të parashikonte dalje nëpërmjet vendkalimeve tokësore, si dhe "arranzhmane të veçanta" për nisje nga deti dhe ajri, sipas Tajms of Izrael,
"Banorëve të Gazës duhet t'u lejohet liria të largohen dhe të emigrojnë, siç është praktikë kudo në botë," tha Kac.
Ai shtoi se plani i Trampit mund të avancojë "planet për rehabilitimin në një Gazë të çmilitarizuar që nuk do të përbëjë kërcënim në epokën pas Hamasit, e cila do të zgjasë shumë vite". ls/