• четврток, 07 ноември 2024

Mickoski pret që nesër institucionet të publikojnë të dhëna që janë konfirmim i politikave në afat të shkurtër

Mickoski pret që nesër institucionet të publikojnë të dhëna që janë konfirmim i politikave në afat të shkurtër

Shkup, 6 nëntor 2024 (MIA) - Pres që gjatë ditës së nesërme disa të dhëna që do t'i publikojnë institucionet do të jenë surprizë e këndshme dhe konfirmim i politikave tona në afat të shkurtër, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski pasditen e sotme në përkujtimin solemn të 22 vjetorit të formimit të partnerit të tij të koalicionit, Forcat Demokratike të Romëve.

Kryeministri theksoi se tetori është muaji i parë që pas shumë vitesh shteti e përfundoi me suficit, përkatësisht ka fituar më shumë se sa ka shpenzuar. 

"Pres që gjatë ditës së nesërme disa të dhëna që do të publikohen nga institucionet të jenë një surprizë e këndshme dhe një konfirmim i politikave tona në afat të shkurtër. Muaji tetor ishte muaji i parë, që nuk e di pas sa vite e kemi mbaruar me suficit, përkatësisht kemi fituar më shumë se sa kemi harxhuar në Buxhet. Ai suficit është 1 miliard e 125 milionë denarë, diçka që deri dje ishte mision i pamundur, sot po e realizojmë në praktikë", tha Mickoski.

Për nesër, sipas publikimit të ueb faqes së Entit shtetëror të statistikave, duhet të publikohen të dhënat e fundit për shpenzimet për jetesë, ndërsa konferencë për shtyp ka paralajmëruar edhe Banka popullore në të cilën duhet të publikohen treguesit makroekonomik të vjeshtës. 

Lidhur me politikën e jashtme, kryeministri tha se shteti ka arritur të paraqitet para partnerëve në mënyrë dinjitoze dhe të argumentuar, për çka, tha ai, rezultatet tashmë janë të dukshme.

"Kemi luftuar me dinjitet të prezantohemi dhe të argumentojmë para partnerëve tanë në skenën ndërkombëtare dhe mendoj se ia dolëm dhe se rezultatet janë tashmë të dukshme. Ne jemi ulur në tryezë me superfuqitë më të mëdha në botë. Ishim në tavolinë me kancelarin Sholc, ishim në tryezë edhe me ish-presidentin e SHBA-ve, ishim në tryezë me bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të ri të SHBA-së, të cilët erdhën tek ne në Shkup dhe biseduam për të ardhmen, për ekonominë, për projektet që janë më shumë projekte të shekullit të 22-të", tha Mickoski.

Takimin me bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Tramp, kryeministri e vlerësoi si një mundësi që "nuk e kemi pasur kurrë në histori si vend dhe mundësi që ndoshta brezat tonë nuk do e kenë kurrë në histori", dhe prandaj, konsideron se vendi duhet të shfrytëzojë këtë në mënyrë të duhur dhe dinjitoze. 

Nuk ka vend për gabime, shtoi, sepse vendi duhet të bëjë hapa të mëdhenj përpara që fillimisht të arrijë vendet e rajonit dhe më pas vendet e zhvilluara evropiane.

"Unë si kryetar i Qeverisë nuk do të toleroj asnjë improvizim, mungesë pune apo mos dhëntë Zoti që dikush të njollosë imazhin personal, imazhin tim dhe imazhin e qytetarëve. Nuk ka më vend për gabime, duhet të bëjmë hapa të mëdhenj përpara që fillimisht të arrijmë në vendet përreth, e pastaj në shtetet e zhvilluara evropiane", tha Mickoski. ls/

Foto: MIA

 

 

Остани поврзан