Mickoski pret që në periudhën e ardhshme të mbahen takime me përfaqësues të Qeverisë bullgare
- Kryeministri Hristijan Mickoski pret që në periudhën e ardhshme të mbahen takime me përfaqësues të Qeverisë bullgare. Sipas tij, kjo është diçka që nuk duhet të na befasojë, sepse, siç thotë, është normale që ne të bisedojmë me fqinjët, të ndërtojmë marrëdhënie.

Shkup, 6 shkurt 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski pret që në periudhën e ardhshme të mbahen takime me përfaqësues të Qeverisë bullgare. Sipas tij, kjo është diçka që nuk duhet të na befasojë, sepse, siç thotë, është normale që ne të bisedojmë me fqinjët, të ndërtojmë marrëdhënie.
"Sa i përket takimeve, ne tashmë kemi pasur takime në të kaluarën me udhëheqësit më të lartë bullgarë, me kryeministrin e tyre teknik të atëhershëm. Presim që në periudhën që pason, në nivel të ndryshëm të ketë takime me Qeverinë bullgare dhe kjo nuk është diçka që duhet të na befasojë. As ne do të zhdukemi, as ata nuk do të zhduken, ne do të jemi përsëri fqinj", deklaroi Mickoski në pyetjen e MIA-s, për takimet eventuale me udhëheqjen e re bullgare, pasi dje ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani nga Brukseli deklaroi se pala bullgare është e gatshme për bisedime.
Mickoski theksoi se ne duhet të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, por kjo nuk do të thotë se do të dakordohemi në disa tema, që na ndajnë.
"Prandaj unë çdoherë jam ithtar për të diskutuar tema që na afrojnë. Qëndrimi jonë është i qartë dhe i pandryshuar dhe jam i sigurt se nuk do të ndryshohet, sepse unë personalisht mendoj, edhe përfaqësuesit në Qeveri mendojnë, se ne si popull, si shtet në dy dekada e gjysmë kemi bërë shumë në emër të integrimit evropian, siç nuk ka bërë askush, dhe vlerësoj se më në fund pas dy dekadash e gjysmë apo dy dekadash prej se jemi kandidatë, që nuk duhet të kemi më kushte bilaterale, por duhet të kemi kushte objektive në procesin e bisedimeve. Dhe kjo nuk është diçka që është ndryshe se ajo që kam thënë deri tani. Dhe këtë do ta them në takimet nga Uashingtoni, përmes Brukselit, Londrës, Romës, Parisit, pasi unë besoj në këtë, sepse kemi bërë mjaftueshëm dhe si askush tjetër nuk ka bërë në emër të asaj të ardhme evropiane, ka bërë ky vend", theksoi Mickoski.
Kryeministri përsëriti se Maqedonia ka bërë aq shumë lëshime, sa e meritonte të paktën të fillonte procesin.
Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani dje në deklaratë për MIA-n nga Brukseli tha se përfaqësuesi i Bullgarisë në Grupin Punues për zgjerimin e BE-së ka transmetuar se pala bullgare është e gatshme për bisedime dhe po dërgon mesazhe pozitive për vendosjen e dialogut.
"Mendoj se po krijohet një mjedis i mirë, të cilën duhet ta shfrytëzojmë, jo vetëm të vendosim dialog, i cili duhet të ekzistojë mes vendeve fqinje për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore, por edhe një hapësirë që do të na çojë drejt një zgjidhjeje të pranueshme të ndërsjellë, e cila përfundimisht do të na dërgojë në BE", theksoi dje Murtezani. qa/bsh/
Foto: Arkivi i MIA-s