• среда, 08 април 2026

Mickoski pret dialog strategjik të frytshëm me SHBA-në dhe investime të reja amerikane në vend

Mickoski pret dialog strategjik të frytshëm me SHBA-në dhe investime të reja amerikane në vend

Shkup, 7 prill 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi një ditë të frytshme gjatë sesionit të dytë të dialogut strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së i cili sot mbahet në Uashington, ndërsa duhet të përfundojë me një deklaratë të përbashkët. Ai pret të promovojë një investim në një strukturë të rëndësishme prodhimi për mineralin e rrallë antimon, ndërsa projekti për Çebrenin dhe Galishtën do t'u prezantohet investitorëve potencialë amerikanë. Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Evropë që ka një dialog të tillë strategjik me këtë administratë amerikane.

Delegacioni i lartë qeveritar në Uashington kryesohet nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ndërsa marrin pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, ai i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, i Transformimit Digjital Stefan Andonovski si dhe ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska.

"Një nivel jashtëzakonisht i lartë. Temat që do të trajtohen janë transformimi digjital, inteligjenca artificiale, aplikimet dhe zbatimi, bashkëpunimi dypalësh, energjia, infrastruktura që po ndërtojmë dhe në të cilën po investojmë shumë. Pastaj bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes. Këto janë disa fusha në të cilat presim të arrijmë përparim të madh. Në të njëjtën kohë, do të promovohet një investim në një strukturë të rëndësishme prodhimi. Bëhet fjalë për mineralin e antimonit që do të shfrytëzohet pranë fshatit Lluke në Kriva Pallankë. Një mineral i rrallë, që mund të thotë shumë për ekonominë tonë", tha Mickoski.

Hulumtimi atje është drejt përfundimit, shtoi kryeministri i cili pret që "të fillojë shumë shpejt".

"Do të eksportohet në SHBA. Mora informacion nga investitorët se shkritorja do të ndërtohet në Oklahoma në SHBA, që është një cikël i plotë. Diçka që është shumë e rëndësishme për Maqedoninë si shtet dhe për ne si qytetarë", ka thënë Mickoski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me investimet në qendrat e të dhënave, ai tha se ka pasur takime me katër kompani të tilla investimi dhe se disa nga ato investime tashmë janë duke u punuar.

"Bëhet fjalë për investitorë dhe investime serioze. Kur të mund të flas më shumë do ta ndaj, sepse nuk do të doja të thoja asgjë derisa të jem njëqind për qind i sigurt se do të ndodhë. Por, nëse ndodh, le të supozojmë se do të kemi një vlerë të madhe të shtuar në ekonominë vendore", tha Mickoski.

Kryeministri shtoi se projekti për Çebrenin dhe Galishten do t'u ofrohet investitorëve potencialë amerikanë, diçka për të cilën, siç tha ai, përfaqëson qëllimin dhe dëshirën e tij personale. "Ministrja është atje e pranishme me të gjitha informacionet në lidhje me atë projekt dhe ai do të prezantohet", ka thënë kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski mohoi se është në dijeni me non- pejperin që qarkullon në Parlamentin Evropian për tejkalimin e problemeve me protokollin me Bullgarinë nga eurodeputeti Tomas Vajc.

"Jo. Nuk jam në dijeni për një dokument të tillë", tha Mickoski i cili sot ishte në një aktivitet në komunën e Aerodromit të Shkupit.

Foto: MIA

Остани поврзан