Mickoski nga Davosi: Do të kemi takime të shumta për investime të reja dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike
- Të shoqëruar nga një delegacion i lartë qeveritar, do të marrim pjesë në takimin e 56-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës.
Davos, 19 janar 2026 (MIA) - Të shoqëruar nga një delegacion i lartë qeveritar, do të marrim pjesë në takimin e 56-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës.
Në ditët në vijim do të kemi takime të shumta që presim të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e situatës ekonomike dhe të tërheqin një numër të madh të investimeve.
Do të marr pjesë në tre panele ku do t'i prezantoj mundësitë e investimit në Maqedoni, dhe njëkohësisht do të kemi takime të shumta dypalëshe me shumë kompani nga e gjithë bota.
Pres rezultate të frytshme, takime të suksesshme dhe një vizitë të suksesshme në Davos - njoftoi pak kohë më parë kryeministri Hristijan Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk.
Siç është njoftuar tashmë, ai u nis për në Davos për forumin e këtij viti, i cili mbahet nën moton "Në frymën e dialogut", i cili bashkon mbi 65 shefa të shteteve dhe qeverive, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve për sfidat më urgjente globale.
Kryeministri Mickoski do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues të korporatave dhe institucioneve financiare kryesore globale, duke prezantuar përfitimet e investimit në ekonominë e Maqedonisë, me një fokus të veçantë në energji dhe teknologji.
Në panel diskutimet lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm, në të cilat do të marrë pjesë delegacioni i Maqedonisë së Veriut, do t'i prezantojë planet strategjike për transformimin energjetik dhe lidhjen infrastrukturore të rajonit.
Gjatë samitit, kryeministri Mickoski është paraparë të marrë pjesë në sesione të mbyllura për liderët, si dhe në debate publike të fokusuara në inteligjencën artificiale, energjinë dhe rrugët e reja për rritje ekonomike në Evropë.
Delegacioni qeveritar në Davos do të realizojë takime edhe me përfaqësues të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, me qëllim përshpejtimin e proceseve të reformave dhe sigurimin e mbështetjes për projektet kryesore kombëtare.