• сабота, 28 септември 2024

Mickoski: Heqja e Balancerit është rekomandim i Bashkimit Evropian

Mickoski: Heqja e Balancerit është rekomandim i Bashkimit Evropian

Tetovë, 19 qershor 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian është ai që rekomandon heqjen e balancuesit, mjetit që përcakton punësimin e nëpunësve civil sipas përkatësisë etnike, tha sot mandatari Hristijan Mickoski, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse do të ndalet përdorimi i kësaj mundësie. Ai përkujtoi se rekomandimi i BE-së është pasojë e skrining procesit që tashmë është bërë.

"Megjithëse ata thonë se duhet shfuqizuar, atëherë çfarë na mbetet? Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të punojmë sipas rekomandimeve që vijnë nga vetë BE-ja. Ky është rezultat i skrining procesit, tha Mickoski, duke shtuar se vendi duhet të përparojë sipas kompetencave, jo sipas gjinisë, përkatësisë etnike apo fetare.

Në pyetjen e një gazetari se a ka marrë mendim pozitiv nga koalicioni “VLEN” për emërimin e ministrit nga PDSM-ja, Ivan Stoilkoviq, ai ka përsëritur se mendimin e tij për këtë çështje e ka shprehur dje, me rastin e dorëzimit të propozimit dhe programi për përbërjen e Qeverisë në Kuvend, nuk dëshiron ta defokusojë opinionin nga temat e vërteta.

"Temat e vërteta janë si të hapen më shumë fabrika si kjo, si t'i kthejmë të rinjtë. Si Qeveri e ardhshme duhet të punojmë që këto fabrika të mbushen dhe ata të rinj të kthehen këtu në Maqedoni, për të ndërtuar familjet e tyre këtu. Të punojmë të gjithë së bashku për të ardhmen, të mos kthehemi në tema anakronike, shoviniste nacionaliste. E di që ka politikanë që e motivojnë këtë, por janë të mundur nga populli, mbi 600 mijë qytetarë kanë votuar për këtë koalicion. Debati vazhdon në Parlament, dhe atë që kisha për të thënë, e thashë që gjatë ditës së djeshme", tha Mickoski, i cili ishte në shënimin e fillimit të punës së uzinës së dytë prodhuese të fabrikës Kiel Macedonia në ZZHTI Tetovë.

Ai ende nuk i di emrat e zëvendësministrave në Qeveri, pasi, thotë, as nuk janë dorëzuar dhe as tërhequr.

"Konsultimet mes partnerëve të koalicionit janë ende në vazhdim. Praktika është tre deri në katër javë pas votimit të Qeverisë, votohen edhe zëvendësministrat, tha ai.

Në pyetjen e gazetarit, Mickoski tha se Qeveria e ardhshme synon të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët në rajon, Greqinë, Serbinë, Kosovën, Shqipërinë, njësoj, në nivel të barazisë.

"Ne planifikojmë të fokusohemi vetëm në problemet që janë detyra jonë e shtëpisë. Ne duam t'i bëjmë qytetarët të lumtur, që Maqedonia të jetë shtet që do të jetë nënë për të gjithë qytetarët pa dallim etnie sepse ky është atdheu ynë, të gjithë kemi lindur këtu. Këtu jemi gëzuar, këtu jemi pikëlluar dhe presim që të gjithë njëlloj të kujdesemi për zhvillimin e atdheut tonë të përbashkët Maqedonisë, pa dallim etnie", theksoi Mickoski. ls/

Foto: VMRO-DPMNE

 

Тагови

Остани поврзан