15:00/ 7 mars/ 2026
Shkup - Sot shënohet 7 Marsi - Dita e Mësuesit, një festë e cila i kushtohet mësimdhënësve në shkolla dhe universitete. Shtatë marsi e ka zanafillën e hershme, që kujton themelet e para të shkollës shqipe – në fakt ka filluar të kujtohet që kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe në Korçë. Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë u themelua më 7 mars 1887.Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, pa dyshim edhe figurën e nderuar të mësuesit, por edhe të gjithë punonjëseve të arsimit, si edukatorë të brezit të ri dhe si kontribuues të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.
Shkup - Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe Shkollës Shqipe, shpreh respektin dhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë mësimdhënësit që, me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, kanë një rol të pazëvendësueshëm në edukimin dhe formimin e brezave të rinj. Kjo ditë simbolizon jo vetëm fillimin e një kapitulli të rëndësishëm në historinë e arsimit shqip, por edhe vlerësimin për misionin fisnik të mësimdhënësit, i cili përmes dijes, edukimit dhe shembullit personal kontribuon në ndërtimin e një shoqërie më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të ndërgjegjshme, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Shkup – Në vitin 2025, gratë kishin 33,6% të vendeve në parlamentet kombëtare përgjatë BE-së, që përfaqëson rritje prej 5,4 pikë përqindjeje në krahasim me vitin 2015. Në parlamentin e Maqedonisë së Veriut 37,5 për qind e deputetëve janë gra, që është rritje prej 3,4 pikë përqindje në krahasim me vitin 2015, tregojnë të dhënat e Eurostat. Pjesëmarrje më të madhe në parlamentet e tyre kanë Finlanda (46,0%), Suedia (44,8%) dhe Danimarka (44,7%), ndërsa Qiproja (14,3%), Hungaria (15,6%) dhe Rumania (22,0%) kanë nivelin më të ulët. Krahasuar me vitin 2015, të gjitha vendet e BE-së shënuan rritje në pjesën e përfaqësueseve gra, përveç Gjermanisë (-3,5 pikë përqindjeje). Ndër vendet e BE-së ku pjesa e grave në parlament u rrit, katër shënuan rritje prej më shumë se 10 pikë përqindjeje: Letonia (+19,0 pikë përqindjeje), Malta (+14,8 pikë përqindjeje), Franca (+10,9 pikë përqindjeje) dhe Çekia (+10,6 pikë përqindjeje).
Shkup – Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Qyteti i Shkupit e nënshkruan Memorandumin për ndërtimin e parkingjeve në kuadër të Qendrës Klinike “Nëna Tereza”. Marrëveshja është për 15 vjet, me 10 për qind qira nga qarkullimi i përgjithshëm i realizuar. Në fazën e parë është paraparë ndërtim i dy parkingjeve montuese bashkëkohore, me të paktën 500 vende parkimi, të cilët priten në vendosen në funksion deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Parkingjet do të jenë, para së gjithash, të dedikuara për pacientët dhe të punësuarit në Qendrën Klinike. Siç njoftuan ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski para nënshkrimit të Marrëveshjes, nëse ka nevojë, do të ndërtohet edhe parkingu i tretë montues, ndërsa nëse konfirmohet se kapacitetet mundësojnë të parkohen edhe rezidentë privatë, do të mundësohet edhe opsion i tillë.
Shkup – Rreth tre milionë euro do të parashohë Qyteti i Shkupit në fazën e parë të ndërtimit të parkingjeve montuese, por prioritet do të kenë dy parkingjet montuese në kompleksin e klinikave “Nëna Tereza”. Çmimet e parkingut në Qendrën Klinike do të mbeten të njëjta në periudhën e ardhshme, ndërsa pasi të ndërtohen parkingjet montuese do të përcaktohet për pozitat shtesë rregullore e re, por kjo nuk do të nënkuptojë rritje të çmimeve, por konfirmim të marrëdhënieve në lidhje me pagesën, tha kryetari Orce Gjorgjievski. Në konferencën për media, pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Ministrinë e Shëndetësisë për ndërtimin e parkingjeve në kompleksin e klinikave “Nëna Tereza”, Gjorgjievski theksoi se Qyteti parash mjete për parkingje montuese edhe në Aerodrom, Kapishtec, Kisella Vodë, si dhe në shumë vende të tjera.
Shkup - Lufta kundër krimit dhe korrupsionit po zhvillohet pa selektivitet - institucionet veprojnë në bazë të provave dhe ligjit, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ai gjatë një paraqitjeje në emisionin “Shou i natës me Bogdan Ilievski” në Televizionin Alfa, iu referua disa çështjeve aktuale të sigurisë, me ç’rast theksoi vendosmërinë e institucioneve në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe nevojën e respektimit konsekuent të sundimit të ligjit. Toshkovski theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht punon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e mekanizmave për zbulimin dhe parandalimin e krimit, ndërsa çdo rast procedohet në bazë të provave dhe në bashkërendim me prokuroritë kompetente dhe institucionet e tjera.
Shkup - Nëpunës policorë nga NJPB Kavadar e kanë privuar nga liria A.T. (45) nga Dojrani, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale “mashtrim”, me ç’rast është dëmtuar një 81-vjeçare nga Kavadari për shumën prej 300.000 denarësh. MPB njoftoi se më 05.03.2026, një 81-vjeçare nga Kavadari ka denoncuar se një person e ka kontaktuar në telefon, është prezantuar si mjek dhe i ka thënë se vajza e saj ndodhet në spital me frakturë dhe se duhet të kryhet ndërhyrje kirurgjikale për ç'gjë duhet të paguajë. Pasi janë marrë vesh, ajo ka dalë para shtëpisë së saj dhe paratë ia ka dorëzuar një personi mashkull, ndërsa më vonë ka kuptuar se ishte mashtruar.
Shkup - Nesër dhe të martën moti do të jetë kryesisht i vranët, pasdite dhe gjatë natës me kushte për reshje të dobëta shiu, njoftoi DPHM. Nga e marta vijon periudhë e motit kryesisht me diell dhe të qetë, ndërsa në disa lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës.
Prishtinë- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani shprehu urime me rastin e 7 Marsit - Ditës së Mësuesit dhe Shkollës Shqipe. "Shkolla shqipe ishte akt qëndrese, në shtëpi, në bodrume e në kushte sakrifice. Në kohë përndjekjesh, mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan. E mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën e një kombi që donte të jetonte i lirë. Nga banka e parë e shkollës deri te universitetet, është i njëjti mision, të rrisim breza që e duan gjuhën, atdheun dhe lirinë.Prandaj, 7 Marsi është një ditë mirënjohjeje dhe respekti për çdo mësues që, përmes dijes dhe përkushtimit edukon brezat dhe forcon themelet e shtetit. Urime 7 Marsi të gjithë mësuesve!", thuhet në urimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Londër – Çmimet e naftës amerikane të papërpunuar e shënuan rritjen më të madhe javore deri më tani, të nxitur nga përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme, e cila shkaktoi ndërprerje të mëdha në furnizimet globale me karburante. Çmimet u rritën pasi presidenti amerikan Donald Tramp kërkoi dorëzim të pakushtëzuar të Iranit, duke e rritur frikën nga konflikti i vazhdueshëm i cili mund të shkaktojë kaos në tregjet globale të naftës dhe gazit, njoftoi Si En Bi Si. Kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor (WTI) në SHBA u rritën me 12,21 për qind, ose 9,89 dollarë, dhe arritën në 90,90 dollarë për fuçi. Çmimi referues global i llojit të naftës së papërpunuar Brent u rrit me 8,52 për qind, ose 7,28 dollarë, në 92,69 dollarë për fuçi.
Harkov– Të paktën katër persona janë vrarë, ndërsa dhjetë janë plagosur në sulmin rus ndaj një ndërtese banesore në Harkov në lindje të Ukrainës gjatë natës, njoftuan autoritetet ukrainase. “Si rezultat i sulmit armiqësor, një ndërtesë pesëkatëshe banesore në Harkov është shkatërruar pjesërisht. Ndërtesa banesore fqinje gjithashtu është dëmtuar”, shkroi në Telegram Oleg Sinebugov, shef i administratës rajonale ushtarake. Kryetari i qytetit, Igor Terehov, deklaroi se katër persona u vranë. Sinebugov tha se dhjetë persona janë plagosur, në mesin e të cilëve dy djem të moshës prej 6 dhe 11 vjet dhe një vajzë 17-vjeçare.
Teheran – Irani mohon se në tërësi e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, rutë jetike globale për eksport të naftës së papërpunuar, informon DPA. Zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane, Abollafëzll Shekarçi, mbrëmë në televizionin shtetëror deklaroi se Ngushtica e Hormuzit nuk është bllokuar. “Të gjitha anijet kanë leje që të kalojnë, përveç anijeve amerikane dhe izraelite. Ato nuk kanë punë aty”, tha Shekarçi. Megjithatë, ai e pranoi se në kohë lufte është e pamundur të garantohet se të gjitha anijet do të shmangin probleme.
Teheran – Disa shpërthime u dëgjuan sot në mëngjes në afërsi të aeroportit ndërkombëtar Meherab në Teheran, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve Tasnim. Infrastruktura e aeroportit tashmë ishte goditur në sulmet amerikane – izraelite gjatë ditëve të kaluara. Ushtria izraelite paralajmëroi “valë të re të sulmeve të mëdha ajrore” mbi caqet qeveritare në Teheran, ku një numër i madh i njerëzve u tubuan të premten në lutjen e parë pas vdekjes së liderit suprem të Iranit, ajatollahut Ali Hamnei.
Tel Aviv – Armata izraelite (IDF) sot njoftoi se më shumë se 80 aeroplanë ushtarakë kryen sulme ndaj lokacioneve ushtarake, raketahedhësve dhe caqe të tjera në Teheran dhe Iranin qendror. “Më shumë se 80 aeroplanë të forcave ajrore izraelite kryen edhe një valë të sulmeve ndaj infrastrukturës së regjimit terrorist iranian”, thuhet në kumtesën e IDF-së. Nga ana tjetër, marina iraniane njoftoi se ka filluar “valë të sulmeve masive me fluturake pa pilot” kundër Izraelit dhe forcave amerikane, njoftuan mediat shtetërore në Iran.
Teheran– Presidenti iranian, Masud Pezeshkijan deklaroi sot se Irani më nuk do ti sulmojë fqinjët e tij në Gjirin Persik, përveç nëse sulmohet nga ato vende. “Këshilli i përkohshëm i udhëheqjes ka vendosur që nuk do të ketë më sulme ndaj vendeve fqinje, nuk do të lëshohen raketa, përveç nëse sulmi ndaj Iranit buron nga ato vende", tha Pezeshkian në fjalimin e transmetuar në televizionin shtetëror. Ai u kërkoi falje vendeve fqinje të cilat i sulmoi Irani, duke theksuar se kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dorëzim të pakushtëzuar të Teheranit është “ëndërr të cilën duhet ta marrin me vete në varr”.
Jerusalem – Shpërthime u dëgjuan sot në mëngjes në Jerusalem pasi në qytet u dëgjuan sirenat për sulm ajror. Të paktën tre shpërthime u dëgjuan mbi qiellin në Jerusalem. Paralajmërim për sulm ajror në Jerusalem është dhënë të paktën gjashtë herë në 24 orët e fundit.